Tirana si tank në Superiore, “shtyp” sërish Vllazninë në “Loro Boriçi”

by admin
Spread the love

Tirana marshon! Bardheblutë kanë triumfuar ndaj Vllaznisë në Shkodër me rezultatin 2-1 dhe çojnë në 11 pikë diferencën me Laçin e vendit të dytë, që nesër pret Skënderbeun. Ekipi i Shehit tashmë shikon edhe më shumë nga titulli kampion.

Vllaznia e nisi ndeshjen në mënyrë fantastike, duke shënuar gol që në minutën e 6-të. Kroati shmangu edhe portierin Bekaj dhe e çoi topin përtej vijës fatale. Bardheblutë u kundërpërgjigjën me Xhixhën, i cili goditi mbi tra me kokë.

Në minutën e 12-të Aralica shënoi sërish, por më pas me VAR u anulua për pozicion jashtë loje. Një rast shumë i dyshimtë, që mund të hapë polemika. Tirana nga ana tjetër u ndal nga tranversa, pas një goditjeje të Hotit nga jashtë zone.

Një minutë më pas shkodranët fituan 11-metërsh, për një prekje të topit me dorë nga Gjumsi. Me ndihmën e VAR Jorgji e akordoi, ndërsa Latifi e plasi në shtyllë topin dhe nuk ia dha dot epërsinë e dyfishtë Vllaznisë.

Tirana nga ana tjetër kërkonte të krijonte rastet e veta dhe rrezikoi me Seferin në një moment. Sulmuesi, dy minuta më pas, asistoi për Ismajlgecin, i cili brenda zone goditi saktë dhe e çoi topin në rrjetë. 1-1 në “Loro Boriçi”, ndërkohë që Toli kishte mundësinë në shtesën e pjesës së parë të realizonte edhe golin e dytë.

Pjesa e dytë nisi me një rast të Seferit, kurse më pas Mustedanagic goditi fort nga jashtë zone dhe portieri Bekaj bëri mrekullinë duke e ndalur boshnjakun. Në minutën e 70-të Tirana heshtin stadiumin “Loro Boriçi”. Asisti i Xhixhës u kthye në gol nga Hoti, i cili ndëshkoi portierin Zogovic.

Vllaznia më pas rrezikoi me Djurdjevic, Adilin, Latifin e Heric, por nuk ia doli dot që të shënonte golin e barazimit. Edhe Aralica në shtesë nuk shënoi dot në shtesë dhe shkodranët u mposhtën për të dytën herën në “Loro Boriçi”.

Kategoria Superiore – JAVA 25

Vllaznia-Tirana 1-2
Shënues:
Aralica 6’ / Ismajlgeci 43’, Hoti 70’

Foto: KF Tirana, Facebook

You may also like