“Thonë pa turp se Rusia synon të sulmojë Evropën”/ Putin: Dërgimi i forcave perëndimore në Ukrainë, rrezik për konflikt bërthamor global

by admin
Spread the love

Presidenti rus Vladimir Putin u zotua të enjten të përmbushë objektivat e Moskës në Ukrainë dhe paralajmëroi Perëndimin kundër një përfshirjeje më të madhe në luftime, duke thënë se një lëvizje e tillë sjell rrezikun e konfliktit global bërthamor. Paralajmërimi i tij u bë në një fjalim drejtuar kombit përpara zgjedhjeve që ai pritet me siguri t’i fitojë muajin e ardhshëm, duke theksuar kështu gatishmërinë e tij për të mbrojtur territoret e marra nga Rusia në Ukrainë.

Duke iu referuar me sa duket deklaratës së bërë më herët këtë javë nga presidenti francez Emmanuel Macron se nuk duhet të përjashtohet mundësia e dislokimit të forcave tokësore perëndimore në Ukrainë, presidenti rus paralajmëroi për pasoja tragjike për vendet që vendosin ta ndërmarrin këtë hap.

“Thonë pa turp se Rusia synon të sulmojë Evropën. Por thjesht e kuptojmë se thonë gjëra pa kuptim, ndërkohë që ata vetë zgjedhin objektiva për t’i goditur brenda territorit tonë, siç thonë ata vetë, me mënyrat më efikase të shkatërrimit. Ata filluan të flasin për mundësinë e dërgimit të kontigjenteve ushtarake të NATO-s në Ukrainë. Por, ne na kujtohet fati i atyre që dikur dërguan kontigjente në territorin e vendit tonë, por tashmë pasojat ndaj këtyre ndërhyrësve të mundshëm do të jenë shumë më tragjike”, tha zoti Putin.

Duke folur përpara një audience me deputetë dhe zyrtarët më të lartë, zoti Putin paralajmëroi Perëndimin kundër një përfshirje më të thelluar në konflikt.

“Kemi edhe ne armë. Ata e dinë këtë. Siç sapo e thashë, ka edhe armë që mund të godasin objektiva në territorin e tyre… Këta janë njerëz që nuk kanë kaluar sprova të vështira. Ata e kanë harruar tashmë se çfarë është lufta… Ata mendojnë se këto janë ndonjë lloj filmi vizatimor”, tha presidenti rus.

Edhe në të kaluarën zoti Putin i është referuar fuqisë bërthamore të Rusisë që pas dërgimit të forcave ruse në Ukrainë në shkurt 2022, me synimin për ta dekurajuar Perëndimin nga zgjerimi i mbështetjes ushtarake për Kievin.

Presidenti rus theksoi se njësitë bërthamore të ushtrisë ruse janë në gatishmëri të plotë dhe se ushtria ka futur në përdorim armë të reja të fuqishme, disa prej tyre të testuara në fushëbetejat në Ukrainë.

Por në të njëjtën kohë, ai refuzoi pretendimet e udhëheqësve perëndimorë për rrezikun e sulmit rus ndaj vendeve të NATO-s dhe akuzat nga Uashingtoni se Moska po përgatit dërgimin në hapësirë të armëve bërthamore.

“Kemi dëgjuar gjithnjë e më shumë rishtazi akuza të pabaza ndaj Rusisë se p.sh. po vendosim në hapësirë armë bërthamore. Këto falsitete nuk janë asgjë më shumë se falsitete. Janë një kurth për të na tërhequr në negociata sipas kushteve të tyre, nga të cilat përfitojnë vetëm Shtetet e Bashkuara”, tha zoti Putin.

Presidenti rus ka sinjalizuar në mënyrë të përsëritur se ka dëshirën për të negociuar dhënien fund të luftimeve, por ka paralajmëruar se Rusia do t’i mbajë territoret e marra.

Në moshën 71-vjeçare, zoti Putin do të dalë si kandidat i pavarur në zgjedhjet presidenciale që mbahen më 15-17 mars dhe mbështetet tek kontrolli i plotë ndaj sistemit politik rus që ka ndërtuar gjatë 24 viteve të tij në pushtet.

Kritikët që e kanë sfiduar janë burgosur, ose jetojnë jashtë vendit, ndërkohë që janë ndaluar shumica e mediave të pavarura.

Udhëheqësi më i njohur opozitar rus Alexei Navalny, të cilit iu ndalua të kandidojë përballë zotit Putin në vitin 2018, vdiq papritur këtë muaj në një burg në Arktik, ndërsa po vuante dënimin me 19 vite burgim për ekstremizëm. Funerali i zotit Navalny është planifikuar të mbahet të premten.


Top Channel

You may also like