Thellohen krisjet në PD, Basha përplaset me Bylykbashin për marrëveshjen me Ramën

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Partia Demokratike ka mbledhur ditën e djeshme Kryesinë e Grupit Parlamentar për të përcaktuar axhendën e përballjes me qeverinë dhe planin e diskutimeve në komisionet parlamentare. Mbledhja e djeshme ka shkaktuar debate mes Kryedemokratit Basha dhe deputetit Oerd Bylykbashi. Ky i fundit dy ditë më parë në rrjetet sociale akuzoi Bashën se po bën pazare me PS lidhur me zgjatjen e afateve të vetingut, duke marrë në këmbim reformën territoriale. Basha i ka kërkuar llogari Bylykbashit dje në mbrëmje duke i kërkuar llogari për këto deklarata.

Madje Basha e ka pyetur nëse vetë PS i ka bërë atij ndonjë ftesë për këtë çështje. Vetë Bylykbashi e ka mohuar duke thënë se është bazuar në qëndrimet që janë mbajtur publikisht nga PS. Basha ja ka bërë të qartë Bylykbashit se të tilla qëndrime vetëm e dëmtojnë PD në këtë situatë, prandaj ka kërkuar të jetë i kujdesshëm. Sipas tij, ato janë vetëm provokime e shpifje. Basha mësohet se është treguar mjaft i ashpër në këta aspekt, duke i dërguar një mesazh edhe ish-kryeministrit Berisha që e akuzon për pazare me PS. Bylykbashi ka dalë në mbështetje të Berishës dhe Basha dje duket se ka bllokua provokimet e ish-liderit të PD përmes Bylykbashit. Basha është shprehur se nuk ka asnjë pazar me PS.

Bylykbashi akuzoi të shtunën Bashën se po bën pazar me Ramën në lidhje me çështjen e zgjatjes së afatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për Vetingun e gjyqtarëve në këmbim, sipas tij, të Reformës Territoriale që duan demokratët.

“Këtë pazar i ofron Rama PD-së. Si tregti kuajsh. Më jep një kalë, të të jap një mushkë. Anglezët e quajnë “horse trading” apo tregti kuajsh. Kjo është kundër interesave parësore dhe themelore të opozitës”, u shpreh Bylykbashi.

Sipas tij, reforma më kryesore për opozitën duhet të jetë ndryshimi i Kushtetutës për të vendosur një sistem të ri zgjedhor.

“Ky sistem që miratoi Rama pa konsensusin e opozitës më 30 korrik 2020 është i padrejtë, shkel parimet kushtetuese dhe është toksik për demokracinë. Bashkë me të, duhet rishikuar ndarja territoriale e bashkive. Demokracia lokale po asfiksohet nga reforma e dështuar e 2014, e bërë keq me qëllim për të fituar zgjedhjet ne tavolinë. Pjesëmarrja në zgjedhjet bashkiake të 2019 ku opozita mund të fitonte gjysmën e bashkive, do të rikuperonte mospjesëmarrjen e opozitës në reformën territoriale. Por ky shans u humb kur u vendos të mos hyhej në zgjedhje”, u shpreh Bylykbashi.

Gjithashtu, deputeti shtoi se duhet bërë reformë për të bllokuar, ndalur dhe ndëshkuar ndërhyrjen e shtetit në zgjedhje siç ndodhi më 25 prill 2021. “Ky është rreziku më i madh që kanë zgjedhjet, shumë më i madh se bandat, sepse ndërhyrja e një shteti të politizuar në zgjedhje është sistematike, masive dhe kapilare.

“Më pas mund të ndreqim dështimet e “suksesshme” të reformës në drejtësi. Sigurisht, dështimet nuk mund të lihen pa ndrequr sepse vuajnë shqiptarët që nuk po marrin më asnjë lloj drejtësie. Por vota e lirë dhe e drejtë qëndron më lartë se vetingu sepse aty qëndron sovraniteti i popullit. Sigurisht të gjitha këto duhen dhe mund të bëhen njëkohësisht që mazhoranca të mos luajë me “teorinë e sallamit” duke marrë nga një fetë e nga një fetë. Do të ishte naivitet i pafalshëm”, përfundoi Bylykbashi.

You may also like