Tensionet në veri të Kosovës, Bajram Begaj telefonon Vjosa Osmanin: Të ruhet paqja dhe integriteti territorial i vendit

by admin
Spread the love

Presidenti Bajram Begaj, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me homologen Vjosa Osmani, lidhur me tensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Begaj thotë se gjatë bisedës me Osmanin, është ndalur te dorëheqja e zyrtarëve serbë si dhe te nevoja për vijimin e dialogut, ruajtjen e paqes dhe integritetit territorial të Kosovës.

Reagimi i presidentit Begaj:

“Sot zhvillova një bisedë telefonike me homologen Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës.

Gjatë bisedës u informova mbi situatën e tensionuar në Veri të Kosovës dhe kryesisht u ndalëm në dorëheqjen e përfaqësuesve të Listës Serbe në Kosovë nga institucionet shtetërore dhe bllokimin e funksionimit të tyre.

I shpreha shqetësimin Presidentes Osmani dhe njëkohësisht inkurajova vazhdimin e dialogut mes palëve, duke patur në vëmendje ruajtjen e paqes dhe stabilitetit si dhe të integritetit territorial të Kosovës të garantuara nga NATO.

Mbetet madhor interesi i integrimit euro-atlantik të Kosovës dhe i gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, shkruan ai.

You may also like