TEL AVIV – Ushtria izraelite vret udhëheqësin e një celule militante në Bregun Perëndimor

by admin
Spread the love

TEL AVIV, 17 janar /ATSH-DPA/ – Ushtria izraelite tha se ka vrarë udhëheqësin e një celule militante në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, i cili po planifikonte një sulm terrorist në shkallë të gjerë ndaj Izraelit.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë në Telegram se Abdullah Abu-Shalal ishte eliminuar gjatë një sulmi të saktë ajror.

“Abu-Shalal ishte kreu i infrastrukturës terroriste në kampin e refugjatëve Balata në Nablus”, tha IDF.

Ministria palestineze e Shëndetësisë raportoi një vdekje, por nuk ishte ende e mundur të identifikonte trupin e djegur.

“Tre palestinezë u vranë gjatë sulmit izraelit me dron në kampin Balata”, sipas raporteve palestineze.

Sipas Brigadave al-Aksa, e cila është e afërt me partinë Fatah të presidentit palestinez Mahmud Abbas, tre personat e vrarë ishin anëtarë të grupit të armatosur.

IDF njoftoi se celula financohej dhe drejtohej nga burime iraniane, të cilët kishin punuar së bashku me forcat në Rripin e Gazës dhe jashtë saj. Ky informacion gjithashtu nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Situata në Bregun Perëndimor është përkeqësuar ndjeshëm që nga fillimi i luftës midis Izraelit dhe lëvizjes islamike Hamas në Rripin e Gazës, një territor i veçantë palestinez, më 7 tetor.

“Më shumë se 340 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor”, tha Ministria e Shëndetësisë palestineze. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like