TEL AVIV – Ushtria izraelite tërhiqet nga spitali al-Shifa

by admin
Spread the love

TEL AVIV, 1 prill /ATSH-DPA/ – Ushtria izraelite u tërhoq nga spitali al-Shifa në qytetin e Gazës gjatë natës rreth dy javë pas fillimit të operacionit të saj ushtarak atje, sipas raporteve palestineze sot në mëngjes.

Mediat lokale raportuan se operacioni kishte shkaktuar shkatërrime të rënda në ndërtesat e kompleksit më të madh mjekësor në Rripin e Gazës. Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se raportet ishin duke u hetuar.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e përshkroi operacionin në spitalin al-Shifa dje në mbrëmje si një sukses të madh. Ai foli për një operacion ushtarak “të saktë dhe kirurgjik”.

“Më shumë se 200 terroristë janë vrarë dhe qindra prej tyre janë dorëzuar”, tha Netanyahu.

Sipas Izraelit, organizata islamike palestineze Hamas kishte ngritur edhe një herë pozicione luftimi dhe komandimi në zonën e gjerë, pasi ushtria izraelite kishte sulmuar tashmë spitalin në nëntor. Izraeli akuzon Hamasin për keqpërdorim sistematik të objekteve mjekësore për qëllime ushtarake. Hamasi e ka mohur këtë pretendim.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari tha një javë më parë se luftëtarët e Hamasit dhe Xhihadit Islamik ishin barrikaduar në departamente të ndryshme të spitalit.

“Hamasi po qëllonte mbi trupat izraelite nga dhoma e urgjencës dhe materniteti”, tha ai, duke shtuar se ata kishin gjuajtur predha mortajash dhe kishin shkaktuar dëme serioze dhe zjarre në kompleksin spitalor.

Krahu ushtarak i Hamasit ka marrë përgjegjësinë për disa sulme ndaj trupave izraelite në zonën e spitalit al-Shifa ditët e fundit.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like