TEL AVIV – Netanyahu: Nuk do të ketë armëpushim në Gaza pa lirimin e pengjeve

by admin
Spread the love

TEL AVIV, 7 nentor /ATSH-AA/ – Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu hodhi poshtë edhe një herë thirrjet në rritje për një armëpushim në Gaza, ku numri i të vdekurve palestinezë në sulmet izraelite ka tejkaluar 10 mijë.

“Një armëpushim do të ishte një dorëzim për Hamasin, do të ishte një fitore për Hamasin”, tha Netanyahu për ABC News në një intervistë të transmetuar mbrëmë.

“Epo, nuk do të ketë armëpushim, armëpushim të përgjithshëm në Gaza, pa lirimin e pengjeve tona”, tha ai kur u pyet për mundësinë e një pauze humanitare, duke shtuar:

“Sa i përket pauzave të vogla taktike, një orë këtu, një orë atje. Ne i kemi pasur më parë, mendoj se do të kontrollojmë rrethanat në mënyrë që të mundësojmë hyrjen e mallrave, mallrave humanitare ose pengjeve tona, individëve, që të largohen. Por unë nuk mendoj se do të ketë një armëpushim të përgjithshëm”.

Ai pretendoi se një armëpushim “do të pengojë përpjekjet e luftës” dhe përpjekjet e qeverisë së tij për të nxjerrë pengjet nga Gaza.

Grupi palestinez Hamas, i cili kreu një sulm ndërkufitar një muaj më parë, thotë se mban në robëri më shumë se 200 njerëz, duke përfshirë ushtarë dhe civilë izraelitë. Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës që atëherë.   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like