TEL AVIV – Gantz: Izraeli do të nisë ofensivën e shumëpritur në Rafah

by admin
Spread the love

TEL AVIV, 24 shkurt /ATSH-AA/ – Anëtari i Kabinetit të Luftës të Izraelit, Benny Gantz, ka kërcënuar se ushtria “do të nisë përfundimisht ofensivën e saj të shumëpritur” në qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës.

“Lufta do të vazhdojë edhe në të ardhmen, thellë brenda territorit të armikut dhe jo përgjatë kufirit. Ne do të mbrojmë komunitetet (izraelite) me forca të shtuara dhe do të arrijmë në çdo vend ku ndodhen terroristët e Hamasit”, tha Gantz në një video-mesazh të shpërndarë në mediat sociale.

Ai gjithashtu iu drejtua banorëve të qyteteve izraelite rreth Gazës.

“Vendimi për t’u kthyer është në duart tuaja. Shteti do të ndihmojë të gjitha familjet ose komunitetet që të marrin vendimin e duhur për ta. Ne do t’ju ofrojmë të gjitha shërbimet civile”, tha ai, duke shtuar se siguria e tyre është përgjegjësi e qeverisë.

Qeveria izraelite ka evakuuar banorët nga dhjetëra vendbanime dhe qytete rreth Gazës në hotele dhe shtëpi pritëse në të gjithë Izraelin që nga fillimi i luftës më 7 tetor. Shumë prej tyre kanë refuzuar të kthehen ndërkohë që lufta është në vazhdim.

Në frontin verior, Gantz tha se lufta “nuk do të përfundojë derisa banorët e veriut të mund të kthehen”.

“Ne po punojmë ushtarakisht dhe politikisht. Hezbollahu tashmë është shtyrë nga kufiri dhe ne po përgatitemi për ditën kur të jepet urdhri kur duhet të zgjerojmë aktivitetet tona”, tha ai.

Shumë banorë të qyteteve veriore gjithashtu janë zhvendosur për shkak të luftimeve kufitare që shpërthyen nga 8 tetori midis ushtrisë dhe fraksioneve të rezistencës në Liban, të udhëhequr nga Hezbollahu.

Kërcënimet e Gantz-it vijnë pas fillimit të takimeve në Paris, me pjesëmarrjen e Katarit, Egjiptit, SHBA-së dhe Izraelit, për të diskutuar mënyrat për të qetësuar situatën në Gaza dhe për të arritur një marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve palestinezë dhe pengjeve izraelite.

Pjesëmarrja e Izraelit në takime shënon një zhvillim të dukshëm në rrjedhën e luftës, pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, më 13 shkurt vendosi të mos dërgojë një delegacion në Kajro për bisedime të mëtejshme, duke hedhur poshtë kërkesat e Hamasit për një armëpushim, gjë që çoi drejt një bllokimi të negociatave.   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like