Të rinj dhe siguri të reja, Milan i qeshur në Empoli. Pioli përforcon stolin, lojtarët i betohen për besnikëri

by admin
Spread the love

Milani e mbylli fazën e parë në vendin e tretë me 39 pikë, 35 gola të shënuar, 20 gola të pësuar dhe ndjesinë se mund të ishte bërë më tepër. 1 pikë më shumë se sezoni i kaluar, 3 më pak se viti i titullit, e megjithatë, pavarësisht vështirësive dhe dëmtimeve të shumta (me dëmtimin e Florencit janë 32 ndalesa që nga fillimi i sezonit), kuqezinjtë janë të vendosur në zonën e Champions-it me 7 pikë përpara vendit të pestë dhe me fitoren në Empoli, e para në transfertë pas tre muajsh, duket se i kanë lënë pas problemet e periudhës së fundit.

Me Teon si qendërmbrojtës Milani ka gjetur qëndrueshmëri të mirë në mbrojtje, Loftus-Çik dhe Reijnders po përmirësojnë shënjestrën, Giroud është gjithmonë aty (10 gola për sezonin e 14 radhazi) dhe lojtarët e rinj po tregohen alternativa të vlefshme dhe po krijojnë hapësira të rëndësishme për veten e tyre (Simiç, Himenez dhe Traore mbi të gjithë). Në pritje të kundërshtarëve më bindës si Atalanta dhe Roma, ndjesitë e “djallit” janë më në fund pozitive.

LIDERËT E RINJ –

Me fitoret janë shfaqur edhe buzëqeshjet, skuadra po rikthehet të luajë mirë dhe të argëtohet dhe mbi të gjitha po tregon forcë grupi: “Kemi qenë gjithmonë me trajnerin. Nuk dëgjojmë çfarë thonë njerëzit – tha Teo Hernandez pas fitores në Empoli – Jemi me trajnerin deri në fund”. Një dëshmi e rëndësishme besimi nga një prej liderëve të grupit, fjalë që fshijnë dyshimet për marrëdhëniet mes trajnerit dhe lojtarëve dhe që mund të jenë pikënisja për një fazë të dytë më të mirë se ajo e para dhe ndoshta në gjueti të Interit dhe Juventusit.

“Është formuar një grup i rëndësishëm që dëshiron të punojë së bashku dhe të bëjë mirë”, konfirmoi pas ndeshjes Pioli, i cili është në pritje për të parë sërish Leaon më të mirë, po shijon një Pulisiç gjithnjë e më frymëzues (3 gola dhe 3 asistime në 8 ndeshjet e fundit) dhe rritjen e “vogëlushëve” Himenez dhe Traore. Ky i fundit, pas golit në Kupën e Italisë në debutimin e tij si titullar ndaj Kaljarit shënoi edhe golin e parë në Serie A në pak ditë. Afrikani është fytyra simbolike e këtij Milani, i cili ndihet i shëruar dhe kthehet nga Empoli me shpresa të mëdha për të ardhmen.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI- PANORAMASPORT.AL

You may also like