TAJVAN – Nëntë të vdekur dhe 900 të plagosur pas tërmetit 7,2 ballë Rihter

by admin
Spread the love

TAJPEI, 3 prill /ATSH-AFP-DPA/ –  Sipas shifrave zyrtare, të paktën nëntë persona kanë vdekur dhe rreth 900 janë plagosur si pasojë e tërmetit të fortë në brigjet e Tajvanit.

Një total prej 137 personash janë bllokuar në tunele ose ndërtesa.

Kjo u konfirmua sot nga autoriteti kombëtar i zjarreve.

Përveç kësaj, shumë ndërtesa pësuan dëme katastrofike.

Tërmeti me magnitudë 7,2 që tronditi sot Tajvanin, sipas Administratës Qendrore të Motit (CWA), shkaktoi edhe një cunami të vogël që arriti në disa ishuj në Japoninë jugperëndimore.

Tërmeti goditi në orën 07:58 (23:58 GMT të martën) në një thellësi prej 15,5 kilometrash.

”Epiqendra ishte rreth 25 kilometra në juglindje të Hualien në Tajvanin lindor”, tha CWA.

Ai u pasua nga disa pasgoditje të forta, duke përfshirë një me magnitudë 6,5 ballë.

Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së (USGS) e vlerësoi magnitudën e tërmetit në 7,4 ballë.

Disa ndërtesa në Hualien u dëmtuan rëndë nga lëkundjet e dhunshme, raportuan mediat lokale.

Fotot treguan një ndërtesë shumëkatëshe të shembur.

Në qytetin e Nju Tajpeit, i cili rrethon kryeqytetin në veri të ishullit, një magazinë u shemb duke plagosur tre persona, raportuan disa media.

Dëme u raportuan edhe në pjesë të tjera të ishullit.

Sipas dëshmitarëve okularë, tërmeti është ndjerë qartë edhe në Tajpei.

Transporti hekurudhor publik u anulua në disa qytete të mëdha të ishullit me një popullsi prej më shumë se 23 milionë banorësh.

U ndërprenë edhe shërbimet e trenit ekspres./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like