Sveçla: Tre brezat e flijuar të familjes Jashari janë shtylla më e fuqishme e lirisë sonë

by admin
Spread the love

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë një postim në Facebook me rastin e 25 vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

Ai është shprehur se tre brezat e flijuar të familjes Jashari janë shtylla më e fuqishme e lirisë sonë.

“Në mëngjesin e 5 marsit të vitit 1998 familja e lavdishme Jashari në Prekaz u rrethua nga forca të shumta ushtarake të ushtrisë serbe. Kjo nuk ishte hera e parë e rrethimit të tyre. Angazhimi i tyre ishte fakt i papranueshëm për agresorin serb. Por kjo ishte hera e fundit, sepse këtu nisi kthesa historike e luftës sonë që Serbia gjenocidale nuk e pati menduar. Nisi lufta e madhe për çlirim”, tha Sveçla.

Ministri Sveçla tha se rezistenca dhe sakrifica e tyre për liri janë, siç u shpreh ai, udhërrëfyesi më i qartë për ne në punën për Republikën.

“Gra, burra e fëmijë të Jasharajve në përballje të pabarabartë e nën rrethim nuk u dorëzuan për tre ditë me radhë. Serbia me mjetet e saj të rënda të luftës shkoi kundër synimit të vet. Madhështia e saj përmes armëve u sfidua nga madhështia e rezistencës së familjes Jashari. E këtu zuri vend frymëzimi e vullneti i mbarë popullit tonë për një luftë të re”.

“Tre brezat e flijuar të familjes Jashari janë shtylla më e fuqishme e lirisë sonë. Familja Jashari trasoi rrugën nga e cila nuk mund dhe nuk duhet të devijojmë. Ata na mësuan të gjithë neve se liria është e domosdoshme e se dorëzimi nuk është asnjëherë alternativë. Rezistenca dhe sakrifica e tyre për liri janë udhërrëfyesi më i qartë për ne në punën për Republikën. Lavdi të gjithë të rënëve të familjes Jashari. Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit”, shkroi Sveçla.

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS.

 

You may also like