Sveçla: Procedohen për konsultime projektligjet për pagat dhe zyrtarë publikë

by admin
Spread the love

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se është proceduar për konsultime projektligji për paga dhe projektligji për zyrtarët publik.

Sveçla në një postim në Facebook ka thënë se projektligjet do të kalojnë në procedurat e konsultimeve paraprake dhe publike dhe pas miratimit në Qeveri e Kuvend do të publikohen në Gazetën Zyrtare.

“Projektligji për Pagat ka për qëllim kryesor përcaktimin dhe rregullimin e sistemit të pagave dhe shpërblimeve për të gjithë të punësuarit që përfitojnë pagë nga buxheti i Republikës së Kosovës. Projektligji, përmes sistemit të pagave që synon të krijojë, do të rregullojë edhe mënyrën dhe kushtet e pagesës. Ky projektligj ngre sistemin e pagave mbi parime të afirmuar nga praktikat më të mira të kësaj fushe edhe ndërkombëtarisht. Projektligji patjetër që reflekton edhe situatën aktuale të vendit dhe praktikën gjyqësore duke ofruar siguri juridike për parimet bazë të aplikuara”, ka shkruar Sveçla. “Ndërsa, Projektligji për Zyrtarët Publik ka për qëllim kryesor rregullimin e marrëdhënies së punës të zyrtares e zyrtarit publik në institucionet e Republikës së Kosovës. Projektligji do të zbatohet për zyrtaren e zyrtarin publik duke përcaktuar shprehimisht institucionet e kategoritë që nuk janë në fushëveprimin e këtij ligji si dhe nënkategoritë që kanë status të veçantë, marrëdhëniet e punës së të cilëve rregullohen ndryshe”

Sveçla ka thënë se Projektligji do të jetë në harmoni me rekomandimet e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Me qëllim të rregullimit adekuat të kornizës ligjore, projektligji do t’i adresojë problemet të cilat janë shfaqur në praktikë dhe në aspektin ligjor gjatë zbatimit të ligjit në fuqi për Zyrtarët Publik si dhe do të jetë në harmoni me rekomandimet e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Të dyja këto ligje do të kontribuojnë në barazi e drejtësi brenda sistemit të administratës publike sa i takon të drejtave, profesionalizimin e administratës publike sa i takon shërbimeve dhe qëllimit se përse ekziston administrata dhe padyshim rritjes së efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies. Shërbimeve publike për qytetarët, bizneset dhe institucionet e Republikës së Kosovës janë qëllimi parësor i rregullimit të administratës ndaj ne besojmë se ky qëllim është adresuar në këto dy nisma ligjore. Projektligjet do të kalojnë procedurat e konsultimeve paraprake dhe publike si dhe pas miratimit në Qeveri e Kuvend do të publikohen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla.

You may also like