Sveçla: Jam ministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës, serbët s’janë palë e dorës së tretë

by admin
Spread the love

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dje ka vizituar komunat në veri të Kosovës, ku tha se është takuar me qytetarët atje, me të cilët ka biseduar për kërkesat e tyre.

“Dje vizitova komunat veriore dhe takova qytetarët tanë atje. Biseduam për kërkesat e tyre dhe përkrahjen institucionale. I sigurova që jam në shërbim të secilit qytetar të Republikës së Kosovës dhe së bashku me akterët institucionalë do të jemi pranë tyre, pavarësisht përkatësisë etnike dhe politike”, ka shkruar Sveçla në facebook.

Sveçla tha se ai është ministër i të gjithë qytetarëve të vendit dhe se serbët nuk janë palë e dorës së tretë.

“Unë jam ministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës. Qytetarët serbë nuk janë palë e dorës së tretë. Ata janë banorë, qytetarë të barabartë sikurse të gjitha komunitetet tjera që jetojnë këtu dhe gëzojnë të njëjtat të drejta. Duke pasur parasysh proceset e përbashkëta që na presin, përgjatë takimeve theksova rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet tona në mënyrë që t’i kalojmë ato më lehtë. Ju bëj thirrje të gjithëve që të bashkëpunojnë me organet e rendit në mbarëvajtjen dhe ofrimin e sigurisë në vendin tonë”, ka shtuar ai.

Ai tha se ka vizituar edhe fshatrat shqiptare në veri ku për më shumë se dy dekada, sipas tij, vërehej qartë mungesa dhe përkrahja e shtetit në këtë pjesë të vendit.

“Këta bashkëqytetarë janë të vendosur që të qëndrojnë në atë anë ku me punë e djersë, të sigurojnë jetë e prosperitet për ta dhe fëmijët e tyre. Pa asnjë dyshim ne do të jemi me ta dhe për ta”, ka shkruar ai.

“Gjithandej takuam pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe si çdo herë, vërehej përkushtim e disiplinë e pashoq që garanton rend, ligj dhe siguri për të gjithë”.

You may also like