Supremja rikthen masën e pezullimit për hidrocentralin “Brezovica”, të monitorohet zbatimi i vendimit

by admin
Spread the love

Qendra
për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL), platformë e themeluar nga Grupi për
Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka mbajtur konferencë për të dhënë detaje
lidhur me aktgjykimit të Gjykatës Supreme në rastin e hidrocentraleve në
Shtërpcë, raporton Ekonomia Online.

Arbër
Rexha nga GLSP, tha se Gjykata Supreme ka marrë një vendim shumë të rëndësishëm
për rastin e Hidrocentraleve në Shtërpcë duke pamundësuar vazhdimin e punimeve.

“Gjykata
Supreme ka prishur Aktvendimin e Gjykatës së Apelit ku thuhej pa asnjë bazë,
ndër të tjera, që ndalja e punës së hidrocentralit ishte kundër interesit
publik. Gjykata Supreme ka konstatuar se nuk mund të aprovohet si i drejtë dhe
ligjor qëndrimi juridik i gjykatës së Apelit, pasi që nuk ka arritur t’i
vlerësojë dhe peshojë të gjitha rrethanat që parashihen në nenin 22 të Ligjit
për Konfliktet Administrative në mënyrë kumulative, si dhe ka konstatuar se
arsyetimi i aktvendimit të Gjykatës së Apelit është i mangët dhe jo bindës mbi
faktet vendimtare”.

“Sipas
Gjykatës Supreme, paditësit kanë paraqitur prova bindëse se atyre do t’u
shkaktohej dëm, se shtyrja e ekzekutimit të lejeve për Hidrocentralin në
Brezovicë nuk ishte kundër interesit publik, dhe se kompanisë ndërtuese nuk do
t’i shkaktohej ndonjë humbje të madhe”.

“Ky
Aktgjykim i Gjykatës Supreme është një fitore shumë e madhe për qytetarët e
Shtërpcës.  Sepse do të thotë që me
pezullimin e lejes ujore për HC Brezovica, kompania ndërtuese nuk mund të
aplikojë për leje mjedisore, lëshimi i të cilës është parakusht për të operuar
hidrocentrali. GLPS dhe GAIA kanë dërguar padi vetëm kundër lejes ujore për
Hidrocentralin Brezovica, sepse është e vetmja që kanë pranuar deri më tani nga
Ministria e Mjedisit, edhe pse që gati një vit kërkojnë lejet ujore për
hidrocentralet tjera në Shtërpcë, pra hidrocentralet Sharri, Shtërpca dhe Viça”.  

Sipas
tij, shkeljet ligjore dhe kushtuese janë shumë të mëdha madje as qytetarët nuk
janë njoftuar për debatet publike e kjo thotë ai ka mjaftuar që të anulohet i tërë
procesi.

“Shkeljet
ligjore në këtë rast kanë qenë të mëdha dhe të shumta. E të cilat në gusht të
këtij viti janë konfirmuar edhe nga publikimi i Raportit të Grupit Punues për
Hidrocentrale – i përbërë kryesisht nga zyrtarë të Ministrisë – e i cili ka
dëshmuar që të gjitha lejet e lëshuara për hidrocentrale në Kosovë në dekadën e
fundit janë të kundërligjshme”.

“Fillimisht,
duhet të theksojmë që lejet dhe aktet tjera të Ministrisë janë dhënë në shkelje
flagrante të së drejtës kushtetuese të qytetarëve për të marrë pjesë në
vendimet për mjedisin ku jetojnë. Qytetarët e Shtërpcës nuk janë njoftuar sipas
ligjit se do të mbahet debati publik për kaskadën e Hidrocentraleve në
Shtërpcë. Për këtë arsye, “debati publik” – nëse mund ta quajmë ashtu – është
mbajtur vetëm me zyrtarë të Ministrisë dhe kompaninë ndërtuese. Kjo është
shkelje serioze e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe bazë për anulimin e
të gjitha lejeve dhe akteve tjera. Pra, e gjithë procedura, që nga fillimi, ka
qenë jotransparente, gjë që po e thotë edhe vetë Raporti i Ministrisë tani”.

“Së
dyti, duhet të theksohet se Hidrocentralet e kundërligjshme kanë degraduar
rëndë mjedisin, florën, faunën, kanë çrregulluar ekosistemin, kanë shëmtuar
peisazhin dikur shumë të bukur dhe krenar, kanë devijuar dhe penguar rrjedhën e
lumit, ua kanë mohuar qytetarëve ujin e pijes dhe ujitjes, të cilët kanë qenë
të varur nga ky ujë, sidomos bujqit vendor! Infrastruktura e hidrocentraleve
është ndërtuar edhe në Parkun Kombëtar Sharri, edhe pse me ligj shprehimisht
ndalohet çfarëdo “ndërtimi që rrezikon natyrën,” si dhe ndalohet “shfrytëzimi
ekonomik i të mirave të natyrës aty”.

Ai
u ka bërë thirrje qytetarëve që të monitorojnë zbatimin e këtij vendimi.

“GLPS
dhe GAIA si paditëse në këtë rast, u bëjnë thirrje qytetarëve që të mbikëqyrin
zbatimin e këtij vendimi, pra që të lajmërojnë Qendrën për Raste Gjyqësore
Strategjike në rast se Hidrocentrali në Brezovicë vazhdon operimin pavarësisht
vendimit të Gjykatës Supreme, e për të cilin ne do të iniciojmë procedurat
përkatëse ligjore”

Mevlude
Skuroshi nga GAIA, tha se Ky aktgjykim vije pas punës dhe padisë së Qendrës për
Raste Gjyqësore Strategjike, GLPS-së, GAIA Kosovo dhe gjithë qytetarëve të
Shtërpcës, raporton EO.

“Ky
vendim është konfirmim, por ka edhe shumë punë. Po iu rikujtojë ministrit Aliu
që ka ofruar mbështetje banorëve lokal në Shtërpcë, pavarësisht se është pa
degradimi”.

You may also like