Superkupa në Arabi në këmbim për tokën ku do ndërtohen hotele, akuza që vë Rubiales me shpatulla për muri

by admin
Spread the love

Telashe të reja për Luis Rubiales, ish-presidentin e Federatës Spanjolle të Futbollit, i cili pas çështjes “Hermoso” duhet të mbrohet nga akuzat e rënda. I hetuar për korrupsion, keqmenaxhim dhe pastrim parash, 46-vjeçari akuzohet se ka organizuar Superkupën e Spanjës në Arabinë Saudite në këmbim të ryshfetit në formën e tokës për ndërtimin e hoteleve në vend.

Akuza që dalin nga hetimi, në të cilin është përfshirë Rubiales, por mbi të gjitha nga xhaxhai i tij dhe ish-shefi i kabinetit të presidentit të Federatës së Futbollit, Juan Rubiales. Sipas asaj që raportohet nga Spanja, në fakt, në hetimin që përfshin ish-presidentin dolën “komisione jashtëkontraktore”, të cilat, lexojmë në urdhër, “nënkuptojnë marrjen e tokës në vendin arab, menaxhimi i së cilës kuptohet se është i lidhur me menaxhimin e hotelit”.

Në qendër të hetimit, siç u përmend, është dëshmia e dhënë më 15 nëntor 2022 nga xhaxhai dhe ish-shefi i kabinetit të kryesisë së Federatës Spanjolle të Futbollit, Juan Rubiales, i cili dha dorëheqjen nga posti për shkak se nuk ishte dakord me drejtimin e nipit. Hetimet nisën edhe pas ankesës së paraqitur në organet gjyqësore për kontratat e nënshkruara nga Luis Rubiales, me ndërmjetësimin e kompanisë “Kosmos” të ish-futbollistit të Barcelonës, Zherard Pike, për transferimin e Superkupës në Arabinë Saudite.

Deri më tani janë bërë 7 arrestime dhe 5 persona të tjerë janë nën hetim. Garda Civile tha se Rubiales nuk është në mesin e të arrestuarve sepse, sipas burimeve të “Associated Press”, ish-presidenti aktualisht ndodhet jashtë vendit në Republikën Domenikane. Agjentët kanë kontrolluar shtëpinë e tij në Granada, duke kërkuar kontrata dhe dokumente.

PANORAMASPORT.AL

You may also like