Sulmohet ekipi i Klan Kosovës në veri, AGK: Ndërkombëtarët të garantojnë sigurinë fizike të gazetarëve

by admin
Spread the love

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas rastit të sulmit ndaj gazetarëve të Klan Kosovës, të cilët u sulmuan me gurë derisa po raportonin nga veriu.

AGK-ja tutje në reagim thekson se sulmet e vazhdueshme përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve dhe pengojnë raportimin për zhvillimet në veri.

“Në një trend alarmues, AGK-ja është njoftuar sot për një tjetër sulm të rëndë kundër gazetarëve që po raportojnë nga veriu i vendit.
Persona të maskuar e kanë sulmuar ekipin e Klan Kosovës në Zubin Potok.
Ekipi i përbërë nga gazetarët Qëndresa Bellagoshi, Drin Demiri, kameramani Agon Bejtullahu dhe shoferi Elsad Sinani, janë sulmuar sot në fshatin Zupç. Gazetarja Bellagoshi dhe shoferi Sinani kanë marrë trajtim mjekësor, pasi që xhamat e veturës së thyer nga gurët i kanë goditur në fytyrë. Teksa, Demiri dhe Bejtullahu kanë shpëtuar pa lëndime. Për rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës Sulmet e vazhdueshme përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve dhe pengojnë raportimin për zhvillimet në veri”.

AGK-ja ka kërkuar nga KFOR-i dhe EULEX-i që të luajnë rol shtesë për të garantuar sigurinë fizike të gazetarëve, që “vazhdojnë të jenë cak i sulmeve të organizuara nga grupe personash të maskuar”.

Zubin Potok: Sulmohet nga persona të maskuar ekipi i Klan Kosovës, lëndohet gazetarja dhe shoferi (FOTO)

 

You may also like