Sulmi në spital, Izraeli nxjerr përgjimin: Raketë e Hamasit! Biden shkon në Tel Aviv

by admin
Spread the love

Në ditën kur presidenti amerikan Joe Biden nisi vizitën ne Izrael mes konfliktit të përshkallëzuar ndërmjet shtetit hebre dhe grupit militant palestinez Hamas, vëmendjen e mediave botërore vazhdon ta mbajë të mbërthyer lajmin e shpërthimit masiv në një spital të Gazës të mbushur me të plagosur dhe palestinezë të tjerë që kërkonin strehim, ndër ta dhe fëmijë.

Zyrtarët e Hamasit thanë se spitali u bombardua nga forcat izraelite, ndërsa Izraeli pretendon se ndërtesa u godit nga një raketë e lëshuar nga militantët palestinezë. “Spitali është goditur nga një raketë e devijuar e organizatës terroriste Xhihadi Islamik”, bëri të ditur ushtria izraelite.

Ajo pretendon se ka përgjuar një bisedë të grupit terrorist palestinez, Xhihadi Islamik, në të cilin luftëtarët e pranojnë gabimin në goditje. E gjithë bota duhet ta dijë, se ishin terroristët barbarë ata që goditën spitalin në Gaza”, deklaroi kreu i ekzekutivit izraelit Benjamin Netanyahu.

Nuk ishte ushtria izraelite, theksoi Netanjahu. “Ata që vranë brutalisht fëmijët tanë, vrasin edhe fëmijët e tyre.”

Hamasi nga ana e tij fajësoi jo vetëm Izraelin, por edhe SHBA-në. “Kanë përgjegjësinë e sulmit për shkak të mbulimit që i bëjnë agresionit izraelit”, deklaruan drejtues të tij. Ky ishte spitali i vetëm i krishterë në Rripin e Gazës, Al-Ahli Arab. Sulmi ndaj tij rrezikon të minojë përpjekjet aktuale diplomatike. Protestat ndaj ngjarjes së rëndë, nuk vonuan të shpërthejnë.

 “Kjo është një protestë urgjente pas sulmit terrorist sionist kundër fëmijëve, grave e të plagosurve në spitalin e Gazës. Civilët nuk duhet të jenë pjesë e aksioneve të luftës. Ky krim është tërësisht përgjegjësi e entitetit sionist. Është prova se ky nuk është shtet, por bandë kriminale”, tha Adil Sghir, nga partia PJD në Marok.

Shpërthimi ndodhi në kohën kur Shtetet e Bashkuara po përpiqen të bindin Izraelin që të lejojë dërgimin e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës dhe pak përpara se Bideni të mbërrinte në Lindjen e Mesme. Episodi tronditës e vështirëson misionin e tij, gjatë të cilit do t`i duhet të ofrojë një show publik, mbështetjeje për Izraelin e sulmuar në 7 tetor nga Hamasi, me 1400 viktima, ndër të cilët edhe dhjetëra amerikanë.

Amerikanë të tjerë po kështu po mbahen peng së bashku me shumë izraelitë nga grupi militant. Shpërthimi në spital ndikoi dhe në planet e Bidenit për tu takuar me Mbretin Abdullah II të Jordanisë, Presidentin Abdel Fattah el-Sisi të Egjiptit dhe Presidentin e Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas që të diskutonin situatën humanitare gjatë ndalesës së tij në Jordani.

Por takimet e tij me liderët arabë u anuluan, dhe tani kreu i Shtëpisë së Bardhë do të ndalojë vetëm në shtetin hebre ku takohet me Netanyahun.


Top Channel

You may also like