Sulmeve izraelite nuk u shpëtojnë as ambulancat – Shqip

by admin
Spread the love

Netanjahu refuzon Blinkenin për armëpushim në Gaza

Një autokolonë me ambulanca ishte ndër shënjestrat e sulmeve të 24 orëve të fundit të sulmeve ajrore izraelite në Gaza. Të paktën 15 persona humbën jetën gjatë sulmit. Ambulancat ishin nisur për të evakuuar një grup pacientësh nga spitali Shifa drejt Egjiptit përmes korridoreve të evakuimit, por ushtria izraelite tha se kishte informacione të sakta se ato transportonin fshehurazi militantë të Hamasit. Sipas Tel Avivit, pretendimet mbështeten edhe në informacionet e inteligjencës amerikane dhe egjiptiane.

Hamasi mohoi kategorikisht se në ambulancë kishte militantë të tyre. Sulmi u dënua edhe nga sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres që u shpreh i tmerruar nga kjo ngjarje. Bombave izraelite nuk i shpëtoi këtë të Shtunë edhe një spital fëmijësh në Kan Junus.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu refuzoi një ditë më parë, thirrjen e sekretarit amerikan të shtetit Entoni Blinken për një armëpushim të përkohshëm për qëllime humanitare. Netanjahu, i cili nuk pranoi një konferencë të përbashkët për shtyp me Blinkenin gjatë vizitës së këtij të fundit në Tel Aviv tha se për armëpushim do të flitet vetëm kur të lirohen 240 pengjet e marra nga Hamasi.

Blinken gjatë vizitës me në Aman u përball me kërkesat e ministrave të Jashtëm të Egjiptit dhe Jordanisë për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza pa vendosur asnjë kusht.  Por kryediplomati amerikan ka theksuar se kjo do t’i jepte mundësi Hamasit të riorganizohet dhe theksoi se e ardhmja e Gazës duhet të jetë pa Hamasin.

Tv Klan

You may also like