SUEDI – Billstrom: Nuk duam baza të përhershme të NATO-s në territorin tonë

by admin
Spread the love

STOKHOLM, 12 mars /ATSH-AA/ – Ministri i Jashtëm i Suedisë, Tobias Billstrom deklaroi se janë kundër krijimit të bazave të përhershme të NATO-s dhe vendosjes së armëve bërthamore në territorin e tyre.

Billström foli pas ceremonisë së ngritjes së flamurit suedez në selinë e NATO-s në Bruksel me rastin e anëtarësimit të Suedisë në aleancë si anëtarja e 32-të. Duke rikujtuar se vendi i tij edhe më parë ka marrë pjesë në operacionet e përbashkëta me NATO-n, Billström tha se “Sigurisht, trupat e NATO-s do të operojnë në Suedi por nuk duam baza të përhershme të NATO-s”.

Ai thekson se në të njëjtën mënyrë vendi i tij është i gatshëm në parim të dërgojë trupa te aleatët e tjerë dhe se janë përgatitur që të dërgojnë një batalion të mekanizuar në Letoni.

“Nuk shohim ndonjë arsye për të patur armë bërthamore në territorin tonë në kohë paqeje. Për këtë çështje do të ndjekim rrugën e Norvegjisë dhe Danimarkës. Mendoj se është gjithashtu e rëndësishme të kujtojmë se vetëm tre vende të NATO-s kanë armë bërthamore SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca dhe se që nga fundi i Luftës i Ftohtë e deri më tani nuk janë vendosur armë bërthamore në territorin e asnjë shteti anëtar”, shtoi ai.

“Sigurisht që asnjë shtet anëtar nuk është i detyruar të posedojë armë bërthamore kundër vullnetit të tij. Prandaj mendoj se kjo çështje është ekzagjeruar pak”, tha ministri suedez.

Ai potencoi se janë të vetëdijshëm se armët bërthamore përbëjnë pjesë të doktrinës së mbrojtjes dhe parandalimit të NATO-s. “Ne kemi hyrë në NATO pa asnjë parakusht për këtë çështje”, tha Billström.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një deklaratë dje tha: “Nuk ka plan për të rritur numrin e aleatëve që kanë armë bërthamore. Sigurisht që vlerësojmë vazhdimisht qëndrimin tonë përballë forcave konvencionale aktuale. Por ashtu si në shtetet baltike edhe në Suedi ne nuk kemi plane për të krijuar një grup luftarak”.   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like