Stuhia “Ciaran” gjunjëzon Europën. 12 viktima, më e goditur Italia – Shqip

by admin
Spread the love

Shkatërrime të tilla janë pasojë e stuhisë “Ciaran” që natën e kaluar goditi veriun e Italisë ashtu si edhe vende të tjera të Europës Perëndimore, duke shkaktuar 12 viktima në total.

Pamjet janë filmuar në Kampi Bizencio, një qytezë pranë Firences ku dalja nga shtrati e lumenjve si pasojë e reshjeve të dendura mori me vete dhjetëra automjete dhe i shndërroi rrugët në lumenj të furishëm.

Pesë persona humbën jetën gjatë natës, ndërsa një tjetër rezulton i zhdukur në rajonin e Toskanës, i godituri më rëndë nga vala shkatërrimtare. Përmbytjet detyruan mijëra banorë të evakuohen, pasi uji mbuloi katet e para të ndërtesave, ka paralizuar edhe transportin rrugor dhe hekurudhor në shumë pjesë të Toskanës, ku deri më tani 40 mijë abonentë rezultojnë pa energji elektrike.

2 viktima u shënuan në veri të Francës, ku në 1.2 milionë banesa u ndërpre energjia elektrike. Shkulja e pemëve me rrënjë u mori jetën një 5-vjeçari ukrainas dhe një gruaje 64 vjeç në Belgjikë. Viktima pati në Holandë, Spanjë e Gjermani.

Rekordi i fuqisë së kësaj stuhie të pazakontë është regjistruar në Francë, ku erërat arritën një shpejtësi prej 207 kilometrash në orë.

Autoritetet u bënë thirrje qytetarëve të shmangin sa më shumë daljen nga shtëpitë. Erërat e fuqishme dhe reshjet e dendura çuan në pezullimin dhe shtyrjen e shumë fluturimeve nëpër aeroportet europiane dhe në Britaninë e Madhe.

Tv Klan

You may also like