STRASBURG – PE padit BE për zhbllokimin e fondeve të unionit për Hungarinë

by admin
Spread the love

STRASBURG, 14 mars /ATSH-DPA/- Parlamenti Evropian do të padisë Komisionin Evropian për vendimin e tij për të zhbllokuar fondet e BE-së për Hungarinë.

Vendimi u konfirmua sot pas një takimi me dyer të mbyllura midis presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, dhe krerëve të shtatë grupeve politike të parlamentit.

Padia u rekomandua të hënën nga Komisioni i Çështjeve Ligjore të parlamentit.

Çështja ka të bëjë me vendimin e komisionit më 13 dhjetor për të zhbllokuar 10,2 miliardë euro (11,2 miliardë dollarë) të destinuara për Hungarinë, të cilat ishin pezulluar për shkak të shqetësimeve për ligjin e së drejtës.

Ekzekutivi i BE-së tha në atë kohë se po i zhbllokonte fondet pasi Budapesti “kishte marrë masat që ishte zotuar të merrte”.

Por parlamentarët akuzojnë komisionin se ka mbyllur një sy ndaj problemeve të vazhdueshme.

“Rreth 21 miliardë euro të BE-së mbeten të bllokuara për Hungarinë”, thuhet në një njoftim për shtyp të komisionit, duke njoftuar vendimin e tij në dhjetor.

“Me sa duket se Komisioni është i gatshëm të lërë të rrëshqasë, për qëllime politike, faktin që Hungaria nuk është më një demokraci”, tha në atë kohë, ligjvënësi belg i BE-së, Philippe Lamberts, një nga drejtuesit e grupit të Gjelbër.

Më 12 dhjetor, një ditë përpara se komisioni të njoftonte se po zhbllokonte fondet, Balázs Orbán, një ndihmës i kryeministrit hungarez Viktor Orbán, i sugjeroi “Bloomberg” që Budapesti mund të hiqte veton për ndihmën e BE-së për Ukrainën nëse komisioni zhbllokonte fondet e BE-së për Hungarinë.

Çështja do të shqyrtohet në gjykatën më të lartë të Bashkimit Evropian, në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like