STOKHOLM – Suedia ofron ndihmë ushtarake dhe civile për Ukrainën

by admin
Spread the love

STOKHOLM, 29 gusht /ATSH-AA/ – Kryeministrja e Suedisë, Magdalena Andersson, deklaroi se për shkak të luftës me Rusinë do të sigurojnë për Ukrainën ndihmë ushtarake dhe civile në vlerën 1 miliard kruna (rreth 93 milionë dollarë).

Kryeministrja Andersson, ministrja e Jashtme e Suedisë, Ann Linde dhe ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, u takuan në kryeqytetin e Suedisë, Stockholm dhe diskutuan mbi çështjet aktuale.

Në një konferencë për shtyp pas takimit, Andersson foli për ndihmën ushtarake dhe civile që do të bëhet për Ukrainën.

“Po përgatitemi të bëjmë edhe një ndihmë prej 1 miliard kruna për t’u përdorur në mbrojtjen ushtarake dhe në fushat civile për rindërtimin e vendit. Do të jetë e ngjashme me ndihmat që kemi kryer më parë. Lufta e Rusisë na ka ndikuar thellë të gjithëve. Çmimin e kësaj e kanë paguar civilët ukrainas dhe për këtë arsye e dënoj Rusinë”, tha Andersson.

Ndërsa Kuleba vuri në dukje se do të kërkojnë më shumë ndihmë dhe armë për sa kohë që lufta vazhdon.

Ai ka paralajmëruar se një fatkeqësi që mund të ndodhë në centralin bërthamor Zaporizhzhia të kontrolluar nga Rusia në jug të Ukrainës do të kërcënojë të gjithë botën. “Rusia po rrezikon të gjithë botën nga një aksident bërthamor. Të gjithë së bashku duhet të bëjmë presion që Rusia të tërhiqet nga Centrali Bërthamor Zaporizhzhia”, tha Kuleba.

Ndërsa ministrja Linde tërhoqi vëmendjen se mbështetja e dhënë ndaj Ukrainës është shumë e fuqishme dhe se Suedia do të qëndrojë pranë Ukrainës për sa kohë të jetë e nevojshme.

Qeveria e Suedisë, më 25 maj njoftoi se Ukrainës do t’i dërgojë 95 milionë euro ndihmë ushtarake. Po ashtu u bë e ditur se ndaj Ukrainës do të ofrohet mbështetje ushtarake në masë të madhe dhe se për shkak të fshehtësisë nuk mund të deklarohet natyra e mbështetjes.

Suedia më parë i ka dërguar Ukrainës 5 mijë armë anti-tank AT4, 5 mijë jelekë anti-plumb, 5 mijë helmeta ushtarake dhe ushqime të gatshme të mjaftueshme për 135 mijë ushtarë.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like