Stellantis do t’u ofrojë punonjësve francezë bonus për të lehtësuar peshën e inflacionit

by admin
Spread the love
REUTERS/Gilles Guillaume/File Photo

 

Stellantis do të ofrojë mbështetje financiare deri në 1400 euro për pjesën më të madhe të punonjësve të tij në Francë dhe do të azhurnojë marrëveshjet e pagave në dhjetor, për t’i bërë ballë rritjes së çmimeve në konsum – deklaroi shtëpia automobilistike pas bisedimeve me sindikatat.

Kriza e kostos së jetesës në Europë po ushtron presion në rritje mbi inflacionin e pagave, ndërkohë që kompanitë në të gjithë botën duhet të përballen me kërkesat e punonjësve për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve.

Ndihma e Stellantis do të përfshijë një pagesë bonus një herë dhe mundësinë për të kthyer në para tri ditë pushimesh për oraret shtesë – deklaroi një zëdhënës i kompanisë.

Rreth 60% e punonjësve do të përfitojnë nga mbështetja maksimale, ndërsa 20% do të ketë të drejtën e një ndihme prej 1.100 eurosh. 20% e punonjësve që fitojnë më shumë, nuk do të marrin mbështetje.

“Propozimet e bëra nga drejtuesit dhe të ndara me partnerët socialë do të rrisin fuqinë blerëse të punonjësve tanë mbi nivelin e inflacionit” – deklaroi Bruno Bertin, drejtues i Burimeve Njerëzore në Stellantis.

Një zëdhënës i shtëpisë automobilistike franko-italiane la të hapur mundësinë e masave të ngjashme në vende të tjera.

“Ne do ta trajtojmë temën e inflacionit në çdo vend” – tha zëdhënësi për Reuters, në një përgjigje email-i.

/ Reuters


Monitor sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

You may also like