Statistikat/ 100 gola këtë sezon, asnjë klub si Liverpuli në Europë

by admin
Spread the love

Liverpuli është bërë klubi i parë në pesë kampionatet e mëdha europiane që regjistron një pikë referimi fantastike për golat e shënuar këtë sezon.

“Reds”-at përmbysën Lutonin 4-1 në “Anfield” të mërkurën, duke shënuar në pjesën e dytë me Virxhil van Dajkun, Kodi Gakponë, Luis Diazin dhe Harvi Eliotin. Jyrgen Klop u zemërua me tifozët gjatë pjesës së parë, por ishte i lumtur pas fundit të ndeshjes, pasi lojtarët e tij siguruan një fitore jetike që i dërgoi djemtë e tij për momentin katër pikë më shumë se Mançester Siti në krye të Premier Ligës. Goli i Diazit në minutën e 71-të e dërgoi rezultatin 3-1, por e vendosi Liverpulin edhe në librat e rekordeve, pasi ata tashmë kanë pesë lojtarë që arrijnë shifra dyshifrore për golat dhe asistent këtë sezon. Diaz (10 gola) i bashkohet bashkëlojtarëve Mohamed Salah (19 gola), Diogo Zhota (14 gola), Darvin Nunjez (13 gola) dhe Kodi Gakpo (11 gola) pas rrjetës së tij të fundit kundër “Hatters”.

Kjo i bën “reds”-at klubin e parë në pesë kampionatet kryesore të Europës, Premier Ligë, Serie A, La liga, Liga e Parë dhe Bundesligë që arrin këtë statistikë. Salah është golashënuesi më i mirë i Liverpulit këtë sezon, ndërsa në Premier Ligë më shumë ka shënuar vetëm Erling Haland i Mançester Sitit. Ndërkohë që Nunjez ka regjistruar gjithashtu +10 asiste në të gjitha kompeticionet. Uruguaiani do të kishte shënuar më shumë gola nëse do të ishte treguar më cinik para portës, pasi ka vendosur edhe rekordin e goditjes së katër shtyllave brenda një ndeshjeje.

Duke folur pas ndeshjes, trajneri Klop tha: “Ndeshje e jashtëzakonshme. Më pëlqeu shumë pjesa e parë, por pashë që djemtë dhe tifozët nuk e pëlqyen aq shumë. Ne e nisëm mirë dhe duhet të ambientohesh me kundërshtarin. Pastaj ata shënuan golin e tyre. Gjithçka ishte mirë deri në një të tretën e fundit të fushës, por më pas ne ishim të nxituar. U thashë djemve se ishte një lojë shumë e mirë. Duhet të jemi më të qetë në momentet vendimtare. Më pas pati fishekzjarrë dhe gola të mrekullueshëm. Natë fantastike”.

Liverpuli vendosi edhe rekordin e skuadrës që ka fituar më shumë pikë këtë sezon në Premier Ligë pasi ka qenë në disavantazh (22). Pas golit të Eliot, i cili festoi ndeshjen e tij të 100-të me fanellën e Liverpulit, “reds”-at vendosën edhe një tjetër rekord: ata u bënë skuadra e parë në pesë kampionatet kryesore të Europës këtë sezon që shënon 100 gola në të gjitha kompeticionet. Në vend të dytë renditen kryesuesit e Bundesligës, Bajer Leverkuseni (95 gola), me një më shumë se Mançester Siti. Shumë më poshtë renditet Reali i Madridit (84) dhe PSG (82).

HBGHJB

ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL

You may also like