STAMBOLL – Guterres: Mbeten ende pengesa për të zbatuar plotësisht marrëveshjen e eksportit të grurit

by admin
Spread the love

STAMBOLL, 20 gusht /ATSH-DPA/- Mbetet jashtëzakonisht i rëndësishëm eksporti i ushqimeve dhe plehrave kimike ruse në tregjet botërore si pjesë e një marrëveshjeje për dërgesat e grurit ukrainas, deklaroi sot sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres në Stamboll.

“Dërgesa të tilla ruse te konsumatorët do të ndihmonin në qetësimin e tregjeve të mallrave”, tha Guterres, duke shtuar se OKB-ja po punonte për të kapërcyer disa pengesa për këtë qëllim, pa elaboruar.

“Ne jemi në fillimin e një procesi shumë më të gjatë”, tha ai duke u bërë thirrje qeverive dhe sektorit privat të bashkëpunonin.

“Pa plehrat kimike në vitin 2022, mund të mos ketë ushqim të mjaftueshëm në vitin 2023”, tha Guterres në një konferencë për shtyp së bashku me ministrin turk të Mbrojtjes, Hulusi Akar.

Guterres dhe Akar u takuan në qendrën e koordinimit për monitorimin e eksporteve të grurit të Ukrainës përtej Detit të Zi, në Stamboll.

Në fund të korrikut, OKB-ja dhe Turqia ndërmjetësuan një marrëveshje që synon eksportin e grurit përmes porteve të saj në Detin e Zi, pavarësisht pushtimit rus.

Pjesa tjetër e marrëveshjes është aksesi i papenguar në tregjet globale i ushqimit dhe plehrave kimike ruse.

Edhe pse produkte të tilla bujqësore nuk janë sanksionuar, Moska tha se po lufton për të eksportuar mallrat pjesërisht, për shkak të vështirësive me kompanitë private të transportit.

“Më shumë se 656,000 ton grurë janë transportuar nga tre portet e Ukrainës në Detin e Zi që nga fillimi i gushtit”, deklaroi ministri turk Akar, duke shtuar se Ankaraja shpreson se marrëveshja do t’i hapë rrugën paqes së qëndrueshme.//a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like