Spezia siguron matematikisht mbijetesën, Torino mposht Hellas Veronën

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Spezia ka siguruar matematikisht qëndrimin në elitën e futbollit italian pasi ka marrë tre pikë shumë të rëndësishme përballë Udineses në javën e 37-të të Serie A. Manaj me shokë arritën të fitonin në transfertë me përmbysje me rezultatin 3-2 dhe ngjiten në vendin e 15-të në kuotën e 36 pikëve, ndërsa sulmuesi kuqezi humbi edhe një penallti në minutën e fundit.

Ndeshja nis menjëherë me një vrull të madh me Spezian që kërkon të shënojë golin e avantazhit që në minutat e parë. Rey Manaj dhe Kevin Agudelo i afrohen golit, por pa sukses.

Nga ana tjetër Udinese kundërpërgjigjet me Molinën që prish edhe ekuilibrat e takimit në minutën e 26-të. Gjithçka duket më e vështirë për Spezian që me këtë rezultat nuk e ka siguruar ende matematikisht qëndrimin në Serie A.

Megjithatë, të besuarit e Thiago Mottës përmbysin gjithçka brenda 45 minutave të para. Verde vendos ekuilibrin, ndërsa kur pritej që ekipet të shkonin në dhomat e zhveshjes në baraspeshë erdhi edhe avantazhi i Spezias.

Gyasi çon topin në rrjetë duke fiksuar rezultatin e fraksionit të parë në 2-1. Edhe pjesën e dytë, Spezia e nisi aty ku la të parën dhe pas dy minutash lojë gjen edhe golin e tretë. Këtë herë është Maggiore që detyron lojtarët e Udineses të nxjerrin topin nga rrjeta.

Gjithçka bëhet më e lehtë për Spezian që kërkon thjesht të menaxhojë avantazhin e arritur dhe e bënë këtë gjë më së miri. Në pjesën e mbetur të takimit, Nahuel Molina rrezikon në dy raste portën e Provedel, por nuk ka finalizimin e duhur.

Rey Manaj kishte shansin e artë për të shënuar edhe golin e katërt për Spezian, por nga pika e bardhë e 11-metërshit sulmuesi shqiptar nuk u tregua deçiziv duke e çuar topin jashtë kuadratit.

Menjëherë pas penalltisë së humbur nga Manaj, Pablo Mari shënoi edhe golin e dytë të Udineses që ka vetëm vlerë statistikore. Në fund sfida përfundon me rezultatin 3-2 dhe tashmë Spezia qëndron matematikisht në Serie A që ndodhet 7 pikë më shumë se zona e ftohtë.

Fitore ka arritur edhe Ivan Juric me Torinon e tij në rikthimin që bëri në Veronë. Granadat fituan minimalisht falë golit të Brekalo. Sulmuesi kroat arriti të realizonte në minutën e 19-të

Të dyja ekipet zhvilluan një ndeshje mjaft të bukur dhe me një ritëm të kënaqshëm. Etrit Berisha u tregua vendimtar për Torinon në disa raste duke nxjerrë nga repertori i tij disa superpritje për të mbajtur në fundin e lojës dhe rrjetën e paprekur. Giovani Simeone ishte një rrezik konstant për gardianin kuqezi, por Berisha tregoi formën e tij të mirë të javëve të fundit.

Nga ana tjetër, janë Belotti  e Pellegri që provojnë për të realizuar edhe golin e dytë të Torinos, por pa fat. Sfida përfundoi me fitoren minimale të Torinos që del nga ky takim me tre pikë. /oversport.tv

Foto: Spezia Calcio, Facebook

You may also like