Spektakël në “Picco”! Spezia kalon 3 herë në avantazh, në fund feston Lazio

by admin
Spread the love

Një ndeshje plot emocione zhvillohet në “Picco”, aty ku Spezia vendase ndonëse kalon 3 herë në avantazh, nuk arrin të marrë asnjë pikë përballë Lazios. Skuadra e Sarrit fiton 4-3 me përmbysje dhe ngjitet në vendin e 5-të në renditje.

Acerbi bëhet sërish protagonist, kësaj radhe për mirë, pasi shënon golin e fitores në minutën e 90-të. Derbin e shqiptarëve e fiton Strakosha, ndonëse ka nxjerrë topin plot tre herë nga porta e tij. Manaj ka bërë një ndeshje të mirë, por pa arritur të gjejë rrugën e rrjetës.

Një pjesë e parë me ritëm, gola dhe emocione zhvillohet në stadiumin “Alberto Picco” mes Spezias dhe Lazios. Vendasit kalojnë shumë shpejt në avantazh me Amian, që shënon golin e parë të sfidës pas një gjuajtjeje me kokë. Miqtë mundohen të reagojnë dhe rrezikojnë të shënojnë golin e barazimit me Milinkovic-Savic dhe Acerbi. Është i zakonshmi Ciro Immobile ai që baraspeshon shifrat nga pika e bardhë e penalltisë, por Lazio nuk ka kohë të festojë, pasi Spezia kalon sërish në avantazh, kësaj radhe me Agudelo.

Lazio nis pjesën e dytë në sulm dhe rrezikon me Immobile. Goli nuk vonon dhe portieri Provedel është i pafat, topi godet shtyllën përplaset në trupin e tij dhe përfundon në rrjetë. Sërish baraspeshë.

Por si në pjesën e parë, vendasit kalojnë sërish menjëherë në avantazh, për të tretën herë në këtë sfidë, kësaj radhe me Hristov. Lazio duhet sërish të rikuperojë dhe hidhet në sulm. Milinković-Savić barazon shifrat, duke shënuar golin e tij të 10-të sezonal në Serie A.

Lazio beson te fitorja dhe kërkon të shënojë edhe golin e katërt. Zaccagni godet shtyllën, edhe Milinkovic-Savic i afrohet golit të dytë. Por është Acerbi që nga armik, kthehet në hero, pasi gjen golin e 4-t në minutën e 90-të të sfidës.

Për herë të parë në këto 90 minuta Lazio kalon në avantazh dhe ruan fitoren në minutat e mbetura të sfidës, madje Immobile nuk arrin të shënojë golin e 5-të i vetëm me portierin. Bardhekaltërit marrin tre pikë me peshë dhe ngjiten në vendin e 5-të në renditje, ndërsa Spezia akoma nuk e ka siguruar qëndrimin në Serie A.

You may also like