Spastrimet e Carit: Çfarë fshihet pas zhdukjes së “Gjeneral Armagedonit”?

by admin
Spread the love

Tetorin e kaluar Sergej “Armageddon” Surovikin, i lindur në vitin 1966 dhe me origjinë nga Novosibirsku, i njohur si i korruptuar dhe kasap, u emërua komandanti i ri i përgjithshëm i forcave ruse në Ukrainë. Një emërim që trumbetohej në çdo kanal të mundshëm dhe që muaj më parë zhgënjeu pritshmëritë e atyre që imagjinonin vetë Ramzan Kadyrovin, si kryekomandant të mundshëm në një konflikt që kishte filluar të dukej i humbur.

Moscow Times, duke cituar dy burime të afërta me Ministrinë e Mbrojtjes ruse, kishte publikuar dje vonë në mbrëmje, lajmin për arrestimin e gjeneralit. “Situata me të nuk ishte në rregull. Sipas autoriteteve. Nuk mund të them më shumë”, tha një nga burimet. Ende nuk ka koment nga Ministria e Mbrojtjes. Sipas burimit të dytë, megjithatë, arrestimi është bërë “në kontekstin e Prigozhinit”, “me sa duket, [Surovikini] zgjodhi anën e Prigozhinit gjatë kryengritjes dhe ata e arrestuan”.

Arrestimi i gjeneralit do të gjente konfirmimin sot përmes Financial Times. Gazeta citon tre persona të njohur me dosjen, duke shtuar se “Vladimir Putini ka nisur një operacion pastrimi në krye të shërbimeve të sigurisë, sipas anëtarëve të elitës së Moskës. Presidenti po lëviz për të shuar kritikat, rivendosur rendin dhe sundimin e tij, pas përpjekjes së parë për grusht shteti në Rusisë, në tre dekada”. Pavarësisht konfirmimeve, Veronika, vajza e gjeneralit Surovikin pretendon se babai i saj është në vendin e tij dhe se asgjë nuk i ka ndodhur. Ky version mbështetet nga faqja e pavarur e lajmeve iStories, e cila pretendon se gjenerali ishte marrë në pyetje dhe më pas ishte liruar.

Të mërkurën e kaluar, korit të thashethemeve për fatin e komandantit iu bashkua edhe ai i blogerit pro Kremlinit, Vladimir Romanov, i cili pretendon se Surovikini do të arrestohej të dielën, një ditë pas rebelimit të dështuar të Prigozhinit. Romanovi tha se Surovikini tani do të mbahet në qendrën e paraburgimit Lefortovo në Moskë. Alexei Venediktov, kryeredaktor i radiostacionit Ekho Moskvy, në vend të kësaj raporton në Telegram se Surovikini është zhdukur me familjen e tij për tre ditë dhe se rojet e tij nuk po përgjigjen. Jo vetëm kaq, por ky i fundit shton në Twitter se zëvendësi i Surovikinit, gjenerali Andriy Yudin, ishte “liruar nga radhët” e ushtrisë ruse. Tani që bomba ka shpërthyer, Kremlini fshihet pas një frekuence pa koment, duke i këshilluar gazetarët të kontaktojnë Ministrinë e Mbrojtjes, pasi kjo çështje është prerogativë e tyre. / Il Giornale – Bota.al

You may also like