Sot dita e gjykimit, Milan dhe Inter përballë hijeve dhe shpresës për mrekulli

by admin
Spread the love

90 minuta për të finalizuar punën e një viti. Një hap fals që mund të kthehet në fatal, por sot është akti i fundit, dita e gjykimit, Milano dhe e gjithë Italia dhe jo vetëm do të zbulojnë se kush do të jetë kampioni i Serie A në këtë sezon. Derbi këtë herë do të luhet në distancë, 100 kilometra madje me Milanin që luan në Mapei Stadium, ndërsa zikaltrit luajnë në San Siro, e megjithatë me sytë po nga Mapei.

Një gabim dhe puna e një viti hidhet në plehra. Milani nuk po fiton titullin kampion që prej vitit 2011 dhe uria që tifozët kanë është shumë e madhe. Madje bukuria që ta fitosh titullin pikërisht përballë rivalëve të përbetuar të qytetit shton të tjera grimca lumturie.

Nga ana tjetër e Milanos, lumturia, por edhe “tallja” do të ishte e madhe me kushërinjtë, në rast se në fundin e javës së fundit të kampionatit zikaltrit do të shpalleshin kampion. Megjithatë, në një ditë kaq vendimtare sa kjo e sotmja, hijet e të shkuarës ngacmojnë jo pak.

Interit i vjen në mendje 5 maji famshëm, por edhe një Scudetto e hedhur poshtë nga gabimi i një portieri në ndeshjen e fundit. Nga ana tjetër, kuqezinjtë tremben nga hija e fatal Verona e vitit 1973.

Kështu në kampin kuqezi lutem edhe për një pikë, në mënyrë që të bëjnë realitet një ëndërr që prej kohësh tifozët po e mbajnë në sirtar. Tifozët zikaltër nga ana tjetër shpresojnë se mund të ndodhë gjëja më epike që nuk ka ndodhur prej kohësh në Serie A.

Ajo që është e sigurt është se rreth orës 20:00, gjysma e Milanos do të dalë të festojë. Sheshet dhe rrugët do të mbushen plot me dy ngjyra, kuqezi ose zikaltër. Pjesa tjetër, do të dëshirojë të shkojë në shtëpi nga rruga më e shkurtër dhe më fshehtë e mundshme. /oversport.tv

You may also like