SOFJE – Bullgaria dëbon 3 përfaqësues të Kishës Ortodokse Ruse

by admin
Spread the love

SOFJE, 24 shtator /ATSH-AA/ – Bullgaria ka deportuar të enjten Vassian Zmeevin, përfaqësuesin e Kishës Ortodokse Ruse në Bullgari, dhe dy kolegë të tij, të cilët ishin shtetas bjellorusë.

Agjencia Shtetërore e Sigurisë Kombëtare (DANS) në deklaratën e saj tha se të tre personat kryenin veprimtari kundër sigurisë kombëtare dhe interesave të Bullgarisë.

“Kemi mbledhur të dhëna për veprimet e këtyre personave në lidhje me zbatimin e elementeve të ndryshme të strategjisë hibride të Federatës Ruse që synojnë ndikimin e qëllimshëm në proceset socio-politike në Republikën e Bullgarisë për interesat gjeopolitike ruse”, thuhet në deklaratë.

Atyre u janë anuluar lejet e qëndrimit dhe u është ndaluar hyrja në vend për pesë vjet.

Bjellorusia shihet si një nga aleatët kryesorë të Rusisë, veçanërisht në mes të luftës së vazhdueshme në Ukrainë, tashmë gati 19-muajshe.

Ambasadorja e Rusisë në Bullgari, Eleonora Mitrofanova, e dënoi hapin dhe tha se tre klerikët u deportuan duke u futur në një automjet në të cilin transportoheshin kontrabandistët.

“Nuk ka asnjë precedent për një praktikë të tillë. Kisha është e ndarë nga shteti. Si mundet kleri të kërcënojë sigurinë kombëtare? Është e pamundur të kuptohet. Tekstualisht, na pështynë në fytyrë”, tha ajo.

Zmeev kishte pesë vjet që përfaqësonte Kishën Ortodokse Ruse në kryeqytetin Sofje. Vitin e kaluar, patriarku rus Kirill (Ciril) shtoi Maqedoninë e Veriut në zonën e përgjegjësisë së Zmeevit.

Javën e kaluar, Maqedonia e Veriut shpalli person “non grata” Zmeevin dhe tre diplomatë rusë që punonin në Ambasadën e Rusisë në Shkup.   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like