Snopçe: Shumica ka 59 deputetë, shpëtimin e sheh te shantazhet

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe në paraqitjen para mediave që u realizua në selinë e partisë në Gostivar ka reaguar ndaj zhvillimeve të djeshme në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Ka vlerësuar, se “çdo shtet ka mafian e vetë, ndërsa mbrëmë u dëshmua se në Maqedoninë e Veriut mafia ka shtet”.

Sipas tij, qeveria ka 59 deputet dhe prandaj shpëtimin e kërkon në shantazhe dhe kërcënime.

“Një Qeveri me 59 deputetë krekoset dhe sillet me arrogancë ndaj qytetarëve, ndërsa shpëtimin e kërkon me shantazhe, kërcënime, blerjen apo kidnapimin e deputetëve. Një regjim hibrid që thirret në emër të vlerave evropiane, ndërsa gjithë mandatin dhe fundin e tij e karakterizojnë veprime dhe skandale në kundërshtim me këto vlera.
Mbrëmë nuk dështoi shumica e re, aq më pak opozita. Mbrëmë u ndez alarmi për të gjithë qytetarët dhe faktorin ndërkombëtarë. Mbrëmë u dëshmuan të gjitha vlerësimet e organizmave ndërkombëtare për Maqedoninë e Veriut dhe u konfirmuan të gjitha paralajmërimet tona. Kur nje te zgjedhuri te popullit i pamundësohet shkuarja ne pune, atëherë çka mund te ndodhe me qytetarin e rëndomtë. Mbrëmë Aleanca për Shqiptarët nuk dështoi, por vetëm u konfirmua në anën e së drejtës, në anën e popullit që kërkon ndryshim, ndërsa vetëm dolën fytyrat e vërteta të atyre që luftojnë ndryshimin dhe mbrojnë regjimin me çdo kusht. Lufta vazhdon, edhe më fuqishëm, edhe më pastër, edhe më të vendosur, edhe atë menjëherë”, tha mes të tjerash Snopçe, transmeton TV21.

You may also like