Skuka ndëshkon Dinamon, Partizani fiton derbin dhe shkon në gjysmëfinale

by admin
Spread the love

Partizani është skuadra e katërt gjysmëfinaliste e këtij edicioni të Kupës së Shqipërisë. “Të kuqtë” kanë fituar 1-0 derbin kundër Dinamos dhe falë këtij suksesi vazhdojnë më tej aventurën e tyre në këtë kompeticion, që mbetet rruga më e shkurtër për të shkuar në Kupat e Europës.

Heroi i sfidës që u zhvillua në “Air Albania” ishte Xhuliano Skuka, që ndërshkon ish-skuadrën e tij dhe vulos fatin e kësaj ndeshjeje me golin e shënuar. Sulmuesi i prish debutimin trajnerit Devolli në krye të Dinamos, që pas paraqitjeve zhgënjyese në kampionat i thotë lamtumirë edhe Kupës.

Të dyja skuadrat kërkojnë të fitojnë derbin, pasi vetëm duke fituar Kupën e Shqipërisë mund të shpëtojnë këtë sezon. Partizani është më kërkues dhe shfaqet rrezikshëm me Rrapajn, Carën dhe Malën, por pa arritur që të zhbllokojë sfidën.

Dinamo zgjohet pas 30 minutave lojë dhe rrezikon me Denisson, por braziliani gjuan jashtë. Blutë provojnë edhe me Ibrahimin, por pa rezultat.

Kur dukej se pjesa e parë do të mbyllej në barazim, mendon Skuka, që të zhbllokojë ndeshjen. Sulmuesi vallëzon mes mbrojtësve dinamovit dhe shënon një gol shumë të bukur.

Pjesa e dytë nis me Dinamon më kërkuese, pasi synon të shënojë golin e barazimit. Ibrahimi provon disa herë, por Hoxha është gjithmonë i gatshëm. Skuka ka një mundësi të artë për të mbyllur ndeshjen, por gjuan jashtë, duke mos pasuar për Zhunior, që ishte i vetëm para portës.

Devolli kërkon me çdo kusht barazimin dhe hedh në fushë forca të reja. Dinamo luan më mirë dhe i afrohet golit me Denisson, por Hoxha është i pakalueshëm. Blutë sulmojnë në kërkim të golit të barazimit, ndërsa Partizani zbret rrezikshëm në kundërsulm dhe afrohet golit të dytë. Gjyqtari jep 6 minuta shtesë, por rezultati nuk ndryshon

Mbyllet 1-0 derbi i kryeqytetit. Partizani kualifikohet në gjysmëfinalet e Kupës, ndërsa Dinamo i thotë lamtumirë këtij turneu. / Oversport.tv

Kupa e Shqipërisë – Çerekfinale

Partizani-Dinamo 1-0 (1-1)

Skuka 45’

You may also like