Skuadrat shqiptare në Europë/ Partizani deri në play off, Tirana e pafat në short

by admin
Spread the love

Aventura e klubeve shqiptare në Europë për vitin që lëmë pas mund të konsiderohet deri diku dinjitoze, por jo plotësisht e suksesshme.

Aventura e klubeve shqiptare në Europë për vitin që lëmë pas mund të konsiderohet deri diku dinjitoze, por jo plotësisht e suksesshme. Kjo pasi asnjë nga skuadrat pjesëmarrëse në kompeticionet kontinentale nuk arriti të kualifikohej në fazën e grupeve, edhe pse më pranë realizimit të këtij objektivi ishte Partizani, që, pas fitimit të titullit kampion, kishte ndarë rrugët me italianin Colella, duke marrë në drejtim Zoran Zekicin.

Kampionët e Shqipërisë e nisnin aventurën nga raundi i parë kualifikues i Champions League, ku përballë kishin Bate Borisovin, një skuadër jo në shkëlqimin e viteve të kaluara, dhe që siç tregoi ecuria e mëtejshme mund të kalohej, por të kuqtë nuk arritën të avanconin për më tej.

Në takimin e parë të luajtur në “Air Albania”, Partizani barazoi 1-1 me bjellorusët, në një ndeshje ku mund të kishte marrë më tepër, ndërsa në takimin e kthimit, që luhej në Hungari për shkak të situatës politike në Bjellorusi, skuadra e drejtuar nga Zekic u mund 2-0, duke u eliminuar që në raundin e paerë në Champions.

Gjithsesi, Partizani mund të vazhdonte aventurën europiane në Conference League, ku në raundin e dytë kishte si rivale një skuadër shumë më poshtë të kuqve, jo vetëm për sa i përket traditës, por edhe nivelit: Atletico Escaldes e Andorrës.

Të kuqtë u mjaftuan me një fitore 1-0 në transfertë, ku mund të kishin shënuar shumë më tepër, ndërsa në kthim triumfuan 4-1, për të vazhduar më tej në raundin e tretë me letonezët e Valmerias, një duel dyfish më i vështirë, por ku të kuqtë patën sukses, pasi fituan me përmbysje 1-2 takimin e parë në Letoni me gola të Carës dhe Rrapajt, ndërsa në kthim, në Tiranë, ishte sërish Cara që vulosi fitoren 1-0, duke e çuar Partizanin në play off-in e Conference League.

Pengesa që ndante të kuqtë nga një kualifikim historik në grupet e Conference League quhej Astana, skuadër kazake, që për fat të keq rezultoi e pakalueshme edhe pse mundësitë ishin të gjitha. Kazakët fituan 1-0 takimin e parë në shtëpinë e tyre, ndërsa në kthim u luajt një sfidë dramatike në “Elbasan Arena”.

Partizani kaloi në avantazh në pjesën e parë me Bintsouke, por kazakët barazuan në të dytën, duke e mbyllur ndeshjen në barazim 1-1, për të avancuar me rezultatin e përgjithshëm 2-1, me Partizanin që i mbeten pengjet e mossigurimit vetëm për pak të një arritjeje historike.

Tirana e pafat, shorti e përplas me gjigantët turq

Diskutim ndryshe ai i Tiranës. Nënkampione, që kishte humbur titullin vetëm në fund mes shumë polemikash, por që në Europë pati një short të pamëshirshëm, duke e vënë që në raundin e dytë të Conference League-s përballë gjigantëve turq të Beshiktashi.

Bardheblutë e nisnin rrugëtimin nga raundi i parë kualifikues në Conference League, përballë gjeorgjianëve të Dinamo Batumit, ndaj të cilëve barazuan 1-1 në frymën e fundit me një gol të Regi Lushkjas në Tiranë, për të bërë një paraqitje shumë të mirë në transfertën e kthimit, në Gjeorgji, ku fituan 2-1.

Tirana të ngjallte optimizëm për sa i përket potencialit në prag të fillimit të sezonit të ri. Gjithsesi, në raundin e dytë, përballë Beshiktashit, pavarësisht përpjekjeve maksimale të bardhebluve, Beshiktashi ishte i një tjetër dimensioni, duke i fituar të dyja sfidat, 3-1 në Turqi dhe 0-2 në Tiranë. Një eliminim i parathënë që me hedhjen e shortit, që këtë herë nuk kishte në preferencën e tij ngjyrat bardheblu, duke u vënë përballë Beshiktashin.

“Hirushja” e kampionatit shqiptar, eliminim dramatik 

Fituese e Kupës së Shqipërisë, pas një edicioni të jashtëzakonshëm, siguronte pjesëmarrjen historike për herë të parë në Kupat e Europës edhe Egnatia, surpriza e bukur e kampionatit, që niste aventurën kontinentale në raundin e dytë kualifikues të Conference League-s përballë armenëve të Araratit.

Skuadra rrogozhinase, protagoniste e një futbolli të bukur në arenën vendase, nuk mundi të tregojë më të mirën e saj në Europë. Në takimin e parë Egnatia barazoi 1-1 në transfertë, me një gol të “yllit” Dwamena, ndërsa sfida e kthimit ishte një skenar i denjë për filmat “thriller”, pasi u deshën plot 120 minuta lojë dhe llotaria e 11-metërshave për të përcaktuar skuadrën që avanconte për më tej.

90 minutat e kohës së rregullt përfunduan 2-2, me Egnatian dy herë në avantazh, por e barazuar dy herë nga rivalët. Në minutën e 108-të, i zakonshmi Dwamena kaloi sërish Egnatian para në shtesë, por Ararati u përgjigj me dy gola të shpejtë në të 110-n dhe të 113-n, për të përmbysur rezultatin në 4-3. Në frymën e fundit, në të 124′, Dwamena shënoi një gol dramatik, duke barazuar në 4-4, për të çuar gjithçka në lotarinë e 11-metërshave, ku Egnatia u penalizua ndoshta nga mungesa e përvojës, me Mustën dhe Zejnullain që gabuan nga pika e bardhë. Ararati kaloi 2-4 me penallti në një sfidë plot emocione, por që mbyllej me pengun se mund të ishte bërë më tepër nga Egnatia.

Vllaznia, zhgënjimi i madh në Europë

Në kupat e Europës merrte pjesë edhe Vllaznia, që zhgënjeu plotësisht, duke mos justifikuar pritshmëritë e publikut shkodran. Kuqeblutë kishin përballë një kundërshtar plotësisht të kalueshëm, irlandezo-veriorët e Linfield, që arritën të fitonin 3-1 sfidën e parë në Belfast.

Vllaznia, edhe pse fitoi 1-0 në kthim, u eliminua që në raundin e parë kualifikues të Conference League-s përballë një rivali që nuk kishte asgjë më tepër se Vllaznia. Ishte kjo panorama e verës së vitit 2023 për klubet shqiptare, që te Europa shohin edhe barometrin e vërtetë të forcës në përballjet me kundërshtarët kontinentalë, ku edhe në këtë verë, i kishin mundësitë për të bërë më tepër.

Egnatia dhe Partizani, miqësore luksi me Interin dhe Romën

Vera e viti 2023 do të mbahet mend edhe për miqësoret e luksit. Egnatia ishte protagoniste e një miqësoreje të madhe, kundër Interit, me skuadrën rrogozhinase që vuri në vështirësi serioze zikaltrit, nënkampionë të Europës, duke marrë e para kryesimin dhe madje duke rezistuar në barazim deri në minutën e 80-të.
Interi, gjithsesi në fund fitoi 4-2, por duke mbajtur shënim emrin Egnatia si një ekip i panjohur më parë, por që u hapi shumë punë e ia doli të trondiste në fushë një ndër skuadrat më të mira të Europës.

Partizani ndërkohë solli verën e kaluar në “Air Albania” Romën e Jose Mourinhos, që ruante nga ky stadium kujtime të bukura nga fitorja në finalen e Conference League. Në këtë takim festiv, të kuqtë luajtën me kokën lart dhe bënë një paraqitje dinjitoze, edhe pse u mundën 2-1 me gola të Belottit dhe El shaarawy-t, ndërsa për Partizanin shënonte golin e flamurit Tedi Cara nga pika e bardhë e 11-metërshit.

Një takim ky që, ashtu si dhe ai i Egnatias, përveçse si festë sportive, shërbeu për të rritur imazhin e futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare, me skuadrat shqiptare që u vunë përballë dy prej skuadrave që kanë bërë historinë e futbollit italian.


Top Channel

You may also like