Skema, mbrojtja dhe Barbosa, Kukësi tregon “muskujt” për titullin

by admin
Spread the love

Ky është një kampionat çudirash. I ngjeshur në klasifikim, me surpriza nga java në javë dhe me rezultate të paparashikueshme. Çdo skuadër mund të fitojë ndaj çdo ekipi tjetër. Ecuria e Kukësit është shembulli më i mirë.

Pas një nisjeje jo të mirë të sezonit, verilindorët e Enkeleid Dobit janë kthyer në pistën e duhur të titullit kampion. Fjalë që duket e ndaluar për trajnerin, por jo për drejtuesit e klubit që e kërkojnë me ngulm këtë gjë.

Akoma më shumë pas 3 fitoreve radhazi në kampionat dhe 5 në total duke përfshirë edhe Kupën e Shqipërisë. Tani distanca me Partizanin e vendit të parë është vetëm 5 pikë. Kukësi ka 11 dhe të kuqtë 16.

Por nuk janë vetëm pikët ato që ngrohin Kukësin në këto momente. Loja e zhvilluar dhe soliditeti në mbrojtje janë baza mbi të cilat duhet punuar. Portieri Tafas është siguri dhe me pritjet e tij ka arritur të mbajë portën të paprekur në 3 ndeshje në kampionat. Në total janë 5 pa pësuar duke përfshirë edhe Kupën e Shqipërisë. Skema duket se po jep frytet e veta, ku 3 mbrojtësit ndihen mirë me njëri-tjetrin, ndërsa krahët me Haxhiun dhe Ndrecën sulmojnë fort për të vënë në vështirësi kundërshtarin.

Lajmet pozitive vijnë edhe nga sulmi, aty ku Barbosa po gjen vazhdimësi dhe forca fizike e tij mund t’i hapë punë çdo rivali në Superiore. Zhbllokimi i Bashës është gjithashtu një sinjal i mirë për Dobin. Sfida e radhës është ndaj Egnatias, skuadër që ka ndryshuar  trajnerin dhe kërkon të rikthehet te rezultatet pozitive. / Oversport.tv

You may also like