“Skandali” i VMRO-DPMNE-së për Kovaçevskin. “Nuk e ka kryer shërbimin ushtarak, është deklaruar si i paaftë”

by admin
Spread the love

E paralajmëruan një ditë më herët dhe kur publiku po priste ndonjë skandal për punën e Dimitar Kovaçevskin si kryeministër, opozitarja VMRO-DPMNE doli dhe tha se në 2001-shin Kovaçevski e paskësh shmangur kryerjen e shërbimit ushtarak, duke u deklaruar si i paaftë. Dragan Kovaçki nga VMRO-DPMNE i bën thirrje Kovaçevski që në afat prej 24 orësh të deklarohet nëse në të vërtetë është i paaftë ose e ka gënjyer mjekun dhe institucionet.

“Ashtu si të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë që në atë kohë shërbenin në radhët e ARM-së, edhe kryeministri i tanishëm jolegjitim është dashur të paraqitet në radhët ushtarake. Por po e përsëris, sipas informacioneve që kemi, dezertori Kovaçevski me vetëdije e ka shmangur shërbimin ushtarak në ARM. Arsyeja pse ka dezertuar është se citoj, ai është i paaftë përgjithmonë”– deklaroi Dragan Kovaçki, VMRO-DPMNE.

Nëse është i paaftë atëherë të japë dorëheqje nga funksioni kryeministri i vendit, kërkojnë nga VMRO-DPMNE. Akuzës i janë përgjigjur socialdemokratët. Zëdhënësi dhe deputeti Darko Kaevski thotë se ky është përpjekje e dëshpëruar e VMRO-DPMNE-së që nëpërmjet shpikjeve tentojnë ta heqin vëmendjen nga tenderi 136 milionë eurosh.

“Dukshëm po përpiqen të defokusojnë vetëm të mos flasin për atë që qytetarët presin të kenë përgjigje, cili është roli i “kryetarit nën hije” në tenderin me vlerë 136 milionë euro? Sot nëpërmjet shpikjeve dhe konferencave për media, dezertori ushtarak Kovaçki, po tentojnë përsëri ta fshehin të vërtetën dhe të mos japin përgjigje për qytetarët.”– pohoi Darko Kaevski, ZËDHËNËS I LSDM-së.

Sipas LSDM, VMRO-DPMNE po mundohet të largojë vëmendje nga ndodhitë brenda partisë dhe ndodhitë e fundit me kryetaren e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.

You may also like