Skandal në Beograd: Sportistes nga Kosova ia hoqën flamurin

by admin
Spread the love

Organizatorët vazhdimisht përpiqeshin të fshihnin mbishkrimin Kosova në bluzën time, në mënyrë të turpshme. Ndihesha e diskriminuar dhe nuk doja të performoja nëse nuk do të merrja të njëjtin trajtim si të tjerët”, tha atletja kosovare Gresa Bakraqi

Gresa Bakraqi, vrapuesja e 1500 metrave, ishte përfaqësuesja e vetme e Kosovës në Kampionatin Botëror të sallave të mbyllura në Beograd. Ajo thjesht donte të përfaqësonte me krenari atdheun dhe ngjyrat e saj, por as që e lanë.

Pamë shumë histori të bukura nga Botërori i përfunduar së fundmi në Serbi, por mësuam edhe për këtë skandal që hodhi hije mbi të gjithë kompeticionin. Gjegjësisht, atletja kosovare nuk është lejuar të performojë nën flamurin e saj për shkak se Serbia nuk e njeh Kosovën, e cila është e pavarur që nga viti 2008, shkruan portali kroat “24 Sata”. Ende nuk janë pajtuar me këtë, ndaj sapo u shfaq Bakraqi në Beograd, censuruan gjithçka që ka të bëjë me Kosovën.

Flamuri në fanellën e saj ishte i mbuluar me shirit të zi, dhe semafori kishte një boshllëk pranë emrit të saj në vend të flamurit. E vetmja gjë që mund të identifikohej nga kush po performonte ishte mbishkrimi KOS. Mrekulli, edhe kjo nuk i shqetësoi organizatorët.

“Organizatorët vazhdimisht përpiqeshin të fshihnin mbishkrimin Kosova në bluzën time, në mënyrë të turpshme. Ndjehesha e diskriminuar dhe nuk doja të performoja nëse nuk do të kisha të njëjtin trajtim si garuesit e tjerë. Në fund performova me një bluzë ku shkruhej vetëm KOS”.

Mediat e huaja u interesuan se si u ndje ajo pas këtij trajtimi të turpshëm. Përveçse i mohuan të drejtën për të përfaqësuar me krenari flamurin e vendit të saj, ata i mohuan edhe të drejtën për të folur.

“Gazetarët kërkuan intervista, por sigurimi serb dhe policia që më ndiqnin gjithandej nuk e lejuan. Përveç kësaj, nuk kam pasur probleme”, tha Bakraqi.

Edhe Organizata Botërore e Atletikës ishte në dijeni të gjithë situatës, por nuk donin të ndërhynin. Ata i lanë organizatorët të punojnë vetë.

“Ne jemi të vetëdijshëm për situatën politike në rajon dhe është marrë vesh që sportistja të performojë nën mbishkrimin KOS për të mos ngritur tensione”, kanë thënë nga IAAF, transmeton portali Shtegu.

Miqësia, solidariteti, respekti, janë themelet kryesore të shpirtit olimpik që duhet respektuar në të gjitha garat. Por për disa, politika është mbi të gjitha.

You may also like