Skadoi armëpushimi, Izraeli rinis bombardimet në Gaza: Hamasi e shkeli i pari

by admin
Spread the love

Ashtu siç kishte paralajmëruar, me përfundimin e armëpushimit i cili nuk u arrit të ripërtërihej, Izraeli rinisi luftimet kundër Hamasit, duke e akuzuar grupin militant se ishte ai i pari që shkeli pushimzjarrin duke qëlluar ndaj shtetit hebre.

Sipas të dhënave izraelite ka pasur një sulm me raketë nga Rripi i Gazës pak para përfundimit të afatit të ndalimit të luftimeve. Më pas u njoftua për disa sulme nga zona e rrethuar në drejtim të Izraelit.

Zyra qeveritare për media e kontrolluar nga Hamasi akuzoi nga ana e saj Shtetet e Bashkuara dhe komunitetin ndërkombëtar për rifillimin e luftimeve pasi armëpushimi një javor përfundoi mëngjesin e sotëm. Amerika dhe ndërkombëtarët, thuhet në deklaratën e saj, bartin përgjegjësinë e krimeve të pushtuesve izraelitë dhe vazhdimin e luftës brutale kundër civilëve, fëmijëve dhe grave në Rripin e Gazës.

Aty theksohet më tej se palestinezët kanë të drejtën të mbrojnë veten “me cdo kusht”, dhe të krijojnë një shtet të tyrin me Jeruzalemin si kryeqytet. Izraali dhe Hamasi me ndërmjetësimin e Katarit, Egjiptit dhe të SHBA-së ranë dakord për ndalimin e luftimeve para një jave, një marrëveshje që u zgjat dy herë. Ujdia mundësia këmbimin e disa personave të marrë peng nga Hamasi pas sulmit terrorist të 7 tetorit me të burgosur palestinezë si edhe përshpejtimin e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës. Më shumë se 100 pengje u liruan përgjatë këtyre ditëve, mes tyre edhe edhe 14 izraelitë me pasaportë gjermane.

Izraeli liroi nga ana e tij më shumë se 200 të burgosur palestinezë. Tel Avivi mendon se në duart e Hamasit ndodhen edhe rreth 140 pengje, ndër të cilët pak janë gra e fëmijë. Grupi militant, që kontrollon Gazën prej 16 vjetësh, duket ka pritur të fitojë më shumë nga lirimi i pengjeve të mbetura. Izraeli po përballet me presion në rritje nga aleatja e tij kryesore, SHBA-ja, për të bërë më shumë në mbrojtjen e civilëve palestinezë pas rinisjes së sulmeve ndaj Hamasit.

Një ditë më parë, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u takua me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, gjatë vizitës së tij të tretë në rajon që nga nisja e luftës përpara dy muajsh, dhe deklaroi se nëse Izraeli rinis sulmet në jug të Gazës duhet ta bëjë këtë “në përputhje me ligjin humanitar ndërkombëtar” dhe “duhet të ketë një plan të qartë” për të mbrojtur civilët.


Top Channel

You may also like