S’ka armëpushim në Gaza! Mbyllen pa rezultat bisedimet në Egjipt

by admin
Spread the love

Bisedimet ku janë përfshirë Shtetet e Bashkuara, Egjipti, Izraeli dhe Katari për një armëpushim në Gazë përfunduan të martën pa një rezultat të rëndësishëm.

Ndërkohë janë shtuar thirrjet për Izraelin që të ndalë ofensivën e planifikuar në pjesën jugore të territorit, ku tashmë janë të përqendruar mbi 1 milion persona të zhvendosur.

Qyteti Rafah, i cili përpara luftës kishte 300 mijë banorë, është tashmë i mbingarkuar me të pastrehë që jetojnë në tenda, pasi iu larguan bombardimeve izraelite më në veri të Gazës gjatë katër muajve të luftës.

Bisedimet u zhvilluan në Egjipt një ditë pasi forcat izraelite liruan dy pengje në Rafah, qytetin e mbingarkuar përgjatë kufirit me Egjiptin, me një operacion gjatë të cilit u vranë të paktën 74 palestinezë, sipas zyrtarëve vendas të shëndetësisë dhe pati shkatërrim të gjerë. Ky operacion ofroi një pamje fillestare se si do të ishte një ofensivë e plotë tokësore.

Nga ana tjetër, një marrëveshje armëpushimi do t’i jepte popullsisë në Gazë një lehtësim të domosdoshëm nga ndalja e luftimeve që tashmë janë në muajin e pestë dhe do të mundësonte lirimin e rreth 100 personave që ende mbahen peng në Gazë. Katari, Shtetet e Bashkuara dhe Egjipti janë përpjekur të ndërmjetësojnë për arritjen e një marrëveshjeje, megjithë qëndrimet tepër të ndryshme të shprehura publikisht nga Izraeli dhe Hamasi.

Izraeli thotë se objektivi i luftës është shkatërrimi i kapaciteteve qeverisëse dhe ushtarake të Hamasit, si dhe lirimi i pengjeve. Lufta filloi pasi militantët e Hamasit sulmuan jugun e Izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1200 persona, shumica civilë dhe duke marrë rreth 250 persona peng. Dhjetëra mijëra izraelitë u zhvendosën nga komunitetet e shkatërruara.

Lufta ka sjellë shkatërrim të pa hasur më parë në Rripin e Gazës, me mbi 28 mijë persona të vrarë, mbi 70% e tyre gra dhe të mitur, thanë autoritetet e shëndetësisë në Gazë. Pjesë të mëdha të territorit janë rrënuar nga ofensiva izraelite, rreth 80% e popullsisë është e zhvendosur dhe gjendja katastrofike humanitare e ka zhytur në uri mbi një të katërtën e popullsisë.

Gjithashtu, Afrika e Jugut, e cila akuzon Izraelin për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, njoftoi të martën se ka paraqitur “një kërkesë urgjente” që gjykata të shqyrtojë nëse operacionet ushtarake izraelite në Rafah janë në shkelje të urdhrave të përkohshëm gjyqësorë të dhënë muajin e kaluar. Në këto urdhëra i bëhej thirrje Izraelit të merrte masa më të mëdha për të kursyer jetët e civilëve.

Izraeli mohon me forcë akuzat për gjenocid dhe thotë se operacionet janë në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Izraeli fajëson Hamasin për nivelin e lartë të viktimave për shkak se militantët veprojë në zona rezidenciale me popullsi të ngjeshur.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është zotuar ta vazhdojë trysninë deri në “fitoren e plotë” dhe këmbëngul se trysnia ushtarake do të ndihmojë për lirimin e pengjeve. Por dy pengjet e shpëtuara, 60-vjeçari Fernando Marman dhe 70-vjeçari Louis Har, janë vetëm dy ndër tre pengjet e liruar gjithsej deri më tani nga ushtria izraelite, që nga fillimi i luftës.


Top Channel

You may also like