Siria dhe Saudia, “pajtim” pas një dekade – Shqip

by admin
Spread the love

Siria dhe Arabia Saudite kanë rënë dakord të rihapin ambasadat e tyre përkatëse muajin e ardhshëm pasi të dy vendet ndërprenë marrëdhëniet diplomatike më shumë se një dekadë më parë, sipas Reuters.

Dy qeveritë po përgatiten të rihapin ambasadat pas Fitër Bajramit, një festë muslimane që do të festohet në gjysmën e dytë të prillit, tha një burim i lidhur me Damaskun.

Kontaktet midis Riadit dhe Damaskut morën vrull pas një marrëveshje historike për të rivendosur lidhjet midis Arabisë Saudite dhe Iranit, një aleat kyç i presidentit sirian Bashar al-Assad, tha një burim tjetër me lidhje me Damaskun.

Vendimi ishte rezultat i bisedimeve në Arabinë Saudite me një zyrtar të lartë të inteligjencës siriane, sipas një burimi rajonal dhe një diplomati të Gjirit.

SHBA dhe disa aleatë rajonalë, përfshirë Arabinë Saudite dhe Katarin, mbështetën disa rebelë sirianë në fillimin e luftës civile të vendit në 2011.

Al-Assad ishte në gjendje të mposhtte rebelët në pjesën më të madhe të Sirisë falë mbështetjes së Iranit dhe Rusisë.

Siria tashmë ka rivendosur marrëdhëniet diplomatike me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Assad së fundmi ka bërë një vizitë zyrtare në Abu Dhabi. Më parë, marrëdhëniet diplomatike me Omanin u rivendosën, ndërkohë që flitet gjithnjë e më shumë për rikthimin e anëtarësimit në Ligën Arabe. /tesheshi.com/

You may also like