“Sipas shembullit të Nënë Terezës” – Pendarovski, Osmani dhe Begaj bënë thirrje për bashkëjetesë – Shqip

by admin
Spread the love

Gjithnjë kemi qenë pjesë e një hapësire të përbashkët dhe do të vazhdojmë të jemi. Për këtë duhet t’i tejkalojmë ndasitë, urrejtjet nga e kaluara, të falim njëri – tjetrin për mëkatet e vjetra dhe të vazhdojmë më tutje. Në Ballkan kemi parë shumë të këqija, varfëri, luftëra, urrejtje dhe zemërim, megjithatë , në emër të së tashmes dhe të ardhmes më të mirë, na nevojitet bashkëpunim dhe mirëkuptim, jo si formë, por në thelb.

Këtë e theksoi Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në përurimin e sotëm të bustit të Nënë Terezës në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Shkup, ku morën pjesë edhe presidentet e Kosovës dhe Shqipërisë, Vjosa Osmani – Sadriu dhe Bajram Begaj, si dhe zyrtarë të tjerë nga vendi.

Pendarovski tha se imazhi i Nënë Terezës në ambientet e ambasadës së Kosovës do të na kujtojë pastërtinë e saj morale dhe kujdesin ndaj të sëmurëve dhe të varfërve.

“Do të na kujtojë një figurë mbresëlënëse, e cila duhet të na frymëzojë të japim dhurata dhe të kujdesemi për njëri-tjetrin si fqinjë më të afërt dhe miq të sinqertë”, tha presidenti Pendarovski.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se tre vendet fqinje i lidh historia personale e Nënë Terezës.

“Sot jemi këtu me tre shtete fqinje me të cilat lidhet historia personale e Nënë Terezës. Të gjithë së bashku në adhurim dhe respekt ndaj shenjtores sonë si simbol i miqësisë dhe marrëdhënieve tona dypalëshe dhe një të ardhmeje të ndritur euroatlantike”, tha Osmani.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se ai që ishte shërbimi i Nënë Terezës, i tillë duhet të jetë angazhimi i përbashkët për t’ua përcjellë brezave të ardhshëm.

“Ne jemi të nderuar që jemi pjesë e trashëgimisë së saj etnike dhe kulturore. Këtë trashëgimi duhet ta ruajmë me respekt dhe nderim, të jemi pranë popullit, sidomos atyre që kanë më shumë nevojë”, tha Begaj.

Nënë Tereza ose Shën Tereza e Kalkutës ishte një murgeshë katolike, fituese e çmimit Nobel për Paqe dhe shenjtore në botën katolike, e lindur në Shkup.

Ajo ka marrë më shumë se 700 çmime për punën e saj humanitare dhe konsiderohet si personi më i vlerësuar i shekullit të 20-të.

You may also like