Si ta provojmë nëse po jetojmë në një simulim kompjuterik? – Shqip

by admin
Spread the love

Nga Melvin M. Vopson

Fizikantët janë munduar prej kohësh të shpjegojnë pse Universi filloi me kushte të përshtatshme për zhvillimin e jetës. Pse ligjet fizike dhe konstantet marrin vlera shumë specifike që i lejojnë yjet, planetët dhe tek e fundit jetën që të zhvillohet?

Forca ekspansive e Universit, si për shembull energjia e errët, është shumë më e dobët nga sa sugjeron teoria, duke lejuar grumbullin e materies në vend të fragmentimit të saj. Një përgjigje e zakonshme është se ne jetojmë në një multivers të pafund universesh, prandaj nuk duhet të habitemi që të paktën një Univers ka dalë në formën që është i yni aktualisht. Por një përgjigje tjetër është se Universi ynë është një simulim kompjuterik, me dikë (ndoshta një specie aliene e avancuar) që i rregullon mirë kushtet. Opsioni i fundit mbështetet nga një degë e shkencës e quajtur fizika e informacionit, e cila sugjeron se hapësira-koha dhe materia nuk janë dukuri themelore.

Përkundrazi, realiteti fizik përbëhet në thelb nga copa informacioni, nga të cilat del përvoja jonë e hapësirë-kohës. Sa për krahasim, temperatura “shfaqet” nga lëvizja kolektive e atomeve. Asnjë atom i vetëm nuk ka në thelb temperaturën e tij. Dhe kjo çon në mundësinë e jashtëzakonshme që i gjithë Universi ynë të jetë në fakt një simulim kompjuterik.

Një ide e tillë nuk është e re. Në vitin 1989, fizikanti i famshëm Xhon Uiller, sugjeroi se Universi mund të jetë në thelb në strukturë matematikore, dhe se ai mund të shihet si i dalë nga informacioni. Në vitin 2003, filozofi Nik Bostrom nga Universiteti i Oksfordit në Britaninë e Madhe formuloi hipotezën e tij të simulimit.

Kjo hipotezë argumenton se në fakt është shumë e mundshme që ne jetojmë brenda një simulimi. Kjo për shkak se një qytetërim i përparuar duhet të arrijë një pikë ku teknologjia e tij është aq e sofistikuar sa që simulimet do të ishin të padallueshme nga realiteti, dhe pjesëmarrësit nuk do të ishin të vetëdijshëm se jetonin në një simulim.

Po ashtu ka disa prova që sugjerojnë se realiteti ynë fizik, mund të jetë një realitet virtual i simuluar dhe jo një botë objektive, e cila ekziston në mënyrë të pavarur nga vëzhguesit. Çdo botë e realitetit virtual do të bazohet mbi përpunimin e informacionit. Dhe kjo do të thotë se në fund çdo gjë dixhitalizohet në një madhësi minimale që nuk mund të ndahet më tej.  

Kjo duket se e imiton realitetin tonë sipas teorisë së mekanikës kuantike, e cila e sundon botën e atomeve dhe grimcave. Ajo thotë se ekziston një njësi më e vogël, diskrete e energjisë, gjatësisë dhe kohës. Ngjashëm edhe grimcat elementare, të cilat përbëjnë të gjithë lëndën e dukshme në univers, janë njësitë më të vogla të materies. Thënë thjesht: bota jonë është e dixhitalizuar.

Ligjet e fizikës që rregullojnë gjithçka në Univers ngjajnë me linjat e kodit kompjuterik që do të ndiqte një simulim në ekzekutimin e programit. Për më tepër, ekuacionet matematikore, numrat dhe modelet gjeometrike janë të pranishme kudo, ndaj bota duket të jetë tërësisht matematikore.

Një element tjetër në fizikë, që mbështet hipotezën e simulimit, është kufiri maksimal i shpejtësisë në universin tonë, që është shpejtësia e dritës. Në një realitet virtual, ky kufi do të përputhej me kufirin e shpejtësisë së procesorit, ose me kufirin e fuqisë së përpunimit.

Ne e dimë se një procesor i mbingarkuar e ngadalëson përpunimin e kompjuterit në një simulim. Po ashtu, Teoria e Përgjithshme e Relativitetit e Albert Ajnshtajnit, tregon se në afërsi të një vrime të zezë koha ngadalësohet.

Por dëshmia ndoshta më mbështetëse e hipotezës së simulimit, na vjen nga mekanika kuantike. Ajo sugjeron që natyra nuk është “reale”: grimcat në gjendje të përcaktuara, si vendndodhje specifike, duket se nuk ekzistojnë nëse nuk i vëzhgoni apo matni ato. Në vend të kësaj, ato janë një përzierje e gjendjeve të ndryshme në të njëjtën kohë. Ngjashëm, që gjërat të ndodhin, edhe realiteti virtual ka nevojë për një vëzhgues ose programues.

“Ndërthurja” kuantike lejon që dy grimca të lidhen në njëra-tjetrën. Ndaj nëse manipuloni njërën, manipuloni automatikisht menjëherë edhe tjetrën, pavarësisht se sa larg janë ato, me efektin që në dukje është më i shpejtë se shpejtësia e dritës, gjë që duhet të jetë e pamundur.

Sidoqoftë, kjo mund të shpjegohet edhe me faktin se brenda një kodi të realitetit virtual, të gjitha ‘vendndodhjet” (pikat) duhet të jenë afërsisht po aq larg nga një procesor qendror. Pra, ndërsa ne mund të mendojmë se dy grimca janë miliona vite dritë larg njëra-tjetrës, ato nuk do të ishin aty nëse do të krijoheshin në një simulim.

Duke supozuar se Universi është me të vërtetë një simulim, atëherë çfarë lloj eksperimentesh mund të kryejmë nga brenda simulimit për ta vërtetuar atë? Është e arsyeshme të supozohet se një Univers i simuluar do të përmbajë shumë informacione kudo rreth nesh. Këto pjesë informacioni përfaqësojnë vetë kodin.

Prandaj, zbulimi i këtyre pjesëve të informacionit do të vërtetojë hipotezën e simulimit. Parimi i ekuivalencës së informacionit të masës-energjisë (M/E/I) i propozuar së fundmi – që sugjeron se masa mund të shprehet si energji ose informacion, ose anasjelltas – thotë se bitet e informacionit duhet të kenë një masë të vogël. Dhe kjo na jep një tregues për të vazhduar kërkimin.

Unë e kam theksuar shpesh se informacioni është në fakt një formë e pestë e materies në Univers. Madje kam llogaritur përmbajtjen e pritshme të informacionit për çdo grimcë elementare. Këto studime çuan në publikimin këtë vit të një protokolli eksperimental për t’i testuar këto parashikime.

Eksperimenti përfshin fshirjen e informacionit që përmbahet brenda grimcave elementare, duke i lënë ato dhe antigrimcat e tyre (të gjitha grimcat kanë versione “anti” të tyre që janë identike, por me ngarkesë të kundërt) të asgjësohen në një ndezje energjie – duke emetuar “fotone” ose grimca të lehta.

Unë e kam parashikuar gamën e saktë të frekuencave të pritura të fotoneve që lëshohen bazuar në fizikën e informacionit. Eksperimenti është shumë i arritshëm me mjetet tona ekzistuese dhe ne kemi hapur një faqe për financimin e projektit.

Por ekzistojnë edhe qasje të tjera. Fizikanti i ndjerë Xhon Barrou thoshte se një simulim do të krijonte gabime të vogla llogaritëse, të cilat programuesit do të detyroheshin që t’i rregullonin në mënyrë që të vazhdonin më tej. Ai sugjeronte se ne mund të përjetojmë një fiksim të tillë si rezultate kontradiktore eksperimentale që shfaqen papritur, të tilla si ndryshimi i konstanteve të natyrës.

Pra, monitorimi i vlerave të këtyre konstanteve është një opsion tjetër. Natyra e realitetit tonë është një nga misteret më të mëdha. Sa më shumë ta marrim seriozisht hipotezën e simulimit, aq më të mëdha janë shanset që një ditë ta vërtetojmë ose ta hedhim poshtë atë. / “The Conversation” – Bota.al

You may also like