Shuhet arkitekti që formësoi Bashkimin Europian – Shqip

by admin
Spread the love

Jacques Delors, një figurë kyçe në krijimin e monedhës Euro ndërroi jetë në moshën 98-vjeçare

Ish-presidenti i Komisionit Evropian Jacques Delors, një figurë kyçe në krijimin e monedhës Euro, ka vdekur në moshën 98-vjeçare.

Delors, një socialist, pati një karrierë të gjatë në Francë, ku shërbeu si ministër i Financave nën Presidentin François Mitterrand në fillim të viteve 1980, përpara se të bëhej president i Komisionit të BE-së në 1985.

Presidenca e tij 10-vjeçare mbetet më e gjata në histori ku formësoi konturet e Evropës moderne. Nën drejtimin e Delors, Bashkimi Evropian ndryshoi në mënyrë të konsiderueshme, duke futur një sërë reformash kyçe, duke përfshirë Aktin Unik Evropian, Marrëveshjen e Shengenit, programin e shkëmbimit të studentëve Erasmus, një rishikim të Politikës së Përbashkët Bujqësore dhe Bashkimit Ekonomik dhe Monetar, i cili më vonë çoi në krijimi i monedhës Euro.

Në mars 2020, ai u bëri thirrje krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së që të tregonin solidaritet më të madh në një kohë kur debatet ishin ndezur për një përgjigje të përbashkët ndaj pandemisë Covid-19.

Presidentja aktuale e Komisionit Ursula von der Leyen e cilësoi Delors një “vizionar që e bëri Evropën tonë më të fortë”. “Vepra e tij ishte një Bashkim Evropian i bashkuar, dinamik dhe i begatë. Ai ka formësuar breza të tërë evropianësh, duke përfshirë edhe timin”, shtoi presidentja e  Komisionit.

Presidenti francez Emmanuel Macron e quajti Delorsin “një burrë shteti, arkitekt i pashtershëm i Evropës” dhe “një luftëtar për drejtësinë”.

Delors filloi karrierën e tij në Banque de France ku kishte punuar edhe babai i tij  në vitin 1945 dhe më vonë u diplomua për ekonomi në universitetin prestigjioz i Parisit, Sorbonne. Ai u përfshi në Konfederatën e Sindikatave të Krishterë dhe u bë këshilltar i saj ekonomik në vitin 1950.

Kur mandati i tij në Komisionin Evropian përfundoi në vitin 1995, Delors u konsiderua si një pretendent serioz për presidencën franceze. Megjithatë, ai zgjodhi të mos kandidojë. Vajza e tij e vetme, Martine Aubry, është një politikane e shquar franceze dhe ish-lidere e Partisë Socialiste Franceze.

Klan News

You may also like