Shtyhen zgjedhjet në veri të Kosovës, Vjosa Osmani: Do të mbahen në prill të 2023-it

by admin
Spread the love

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se janë shtyrë zgjedhjet në veri për në prill të vitit 2023.

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se së bashku me përfaqësues të partive politike, kanë ardhur në përfundimin që zgjedhjet në katër komunat në veri të vendit të shtyhen për muajin prill.

Osmani në një konferencë për media pas takimit me përfaqësues të partive politike, ka përmendur pengesat e zyrtarëve të KQZ-së dhe sulmet ndaj policëve dhe mediave.

Ajo tha se ka kërkuar nga Policia dhe AKI raport për sigurinë para zgjedhjeve në veri, të cilën e ka marrë ditë më parë. Një raport tha se e ka marrë edhe nga KQZ, ndërkohë, organizatat vendore dhe ndërkombëtare nuk kanë aplikuar për t’i vëzhguar.

“Duke u bazuar në këto raporte, propozimi i im ishte që të shtyhen zgjedhjet në këto katër komuna, diskutuam për datën dhe në fund erdhën në përfundim që të shtyhen për muajin prill, kurse data e saktë sonte, më së largu nesër në mëngjes do t’u kumtohet qytetarëve”, tha Vjosa Osmani.

Në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – ishin planifikuar të mbahen zgjedhjet lokale më 18 dhjetor.

Për shkak të incidenteve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova të shtyjë mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

Që nga 6 dhjetori, në veri të Kosovës janë regjistruar disa incidente, përfshirë të shtëna me armë zjarri, hedhje të granatave të dorës dhe shok bombave – por, pa pasoja në njerëz.

You may also like