Shkup, kërcënohet kryetari i Komunës së Çairit

by admin
Spread the love

Kryetari i Komunës së Çairit në Shkup, Visar Ganiu ka denoncuar të premten në mbrëmje se është kërcënuar përmes telefonit nga një përfaqësues i Bashkimit Demokratik për Integrim. Zoti Ganiu e ka paraqitur rastin në polici, ku ka thënë se kërcënuesi ishte prezantuar si Muharrem Hasani dhe ishte shprehur se: “Ti dhe Izet Mexhiti do ta gjeni veten të paluar në rrugë” dhe se kishte vazhduar me sharje dhe ofendime të rënda.

Zoti Ganiu, i cili ndodhet në mandatin e tretë në krye të Çairit, një komunë e banuar me shumicë shqiptare brenda kryeqytetit, i ka thënë televizionit Alsat në Shkup se kërcënimet vijnë pas prononcimit në media se “zgjedhjet e kryetarëve të degëve të Bashkimi Demokratik për Integrim bien ndesh me statutin e partisë”.

Visar Ganiu është pjesë e fraksionit të BDI-së të njohur në publik si “grupi i zjarrit” ku bëjnë pjesë ish-nënkryetari i partisë dhe ligjvënësi Izet Mexhiti, dy deputetë të tjerë, kryetari aktual i komunës së Sarajit në Shkup, Blerim Bexheti dhe ish zyrtarë të lartë të BDI-së.

Aktualisht, partia më e madhe në pushtet, BDI ndodhet në një fushatë riorganizimi të brendshëm, përkatësisht të zgjedhjes së kryetarëve të degëve dhe nëndegëve të saj. Muharrem Hasani është kandidat për kreun e degës së Butelit në Shkup. Ai po ashtu është zëvendës-drejtor i Agjencisë së Doganave të Maqedonisë së Veriut. Zoti Hasani ka përgënjeshtruar në rrjetet sociale akuzat e zotit Ganiu duke i quajtur shpifje dhe të pavërteta.

“Shpreh keqardhje për çdo tentativë për njollosjen e proceseve demokratike zgjedhore në BDI nga të vetlarguarit e familjes, e cila i lindi, i rriti dhe i solli këtu ku janë”, shkruan zoti Hasani.

Përplasjet brenda BDI-së filluan pas pakënaqësisë dhe reagimeve të zyrtarëve të njohur tani si “grupi i zjarrit” ndaj ministrave të BDI-së në qeveri, sidomos ndaj Zëvendës-kryeministrit Artan Grupi, për të cilin pjesëtarët e fraksionit thonë se vepron në pushtetin ekzekutiv pa u këshilluar me kryesinë e gjerë të partisë.

Ndërkohë, BDI-ja vlerëson se sipas statutit nuk mund të ketë fraksion brenda partisë dhe se kjo është një mënyrë për largimin e këtij grupi nga postet partiake. Ndërkaq, analistët thonë se “grupi i zjarrit” mund të formojë një parti më vete, eventualisht të bëjë koalicion në zgjedhjet e radhës me opozitën shqiptare në Maqedoninë e Veriut./voa

You may also like