shihni ç’ndodhi në Turqi, Greqi e Bullgari – Shqip

by admin
Spread the love

Një stuhi e fortë goditi Greqinë, Turqinë dhe Bullgarinë dhe shkaktoi përmbytje që vranë të paktën pesë persona, duke përfshirë dy turistë të cilët u përfshinë nga shirat e rrëmbyeshëm në një kamping në veriperëndim të Turqisë, raporton AP.

Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya tha se katër persona të tjerë janë zhdukur pas përmbytjeve të mëdha në një kamp në provincën Kirklareli, pranë kufirit me Bullgarinë. Ai tha se rreth 12 turistë ishin në kamp kur ndodhi përmbytja.

Ekipet e kërkimit kanë gjetur dy trupa, ka shkruar ai në rrjetin social X dhe se kërkimet për pjesën tjetër të të zhdukurve vazhdojnë.

Pamjet televizive treguan se shpëtuesit transportonin një vajzë dhe një të rritur në siguri nga uji që arrinte deri në bel në disa pjesë. Një rrugë kryesore gjithashtu u dëmtua dhe u mbyll për shkak të shiut, njoftoi televizioni Haber Turk.

Në Greqi, policia ka ndaluar qarkullimin në qytetin qendror të Volosit, zonën e afërt malore të Pelionit dhe ishullin Skiathos për shkak të reshjeve rekord që kanë vrarë të paktën një person me dhe përmbytjet kanë përfshirë rrugët duke marrë me vete automjetet.

Shërbimi zjarrfikës raportoi se një burrë u vra në afërsi të Volosit kur një mur u shemb mbi të. Pesë persona rezultojnë të zhdukur dhe dyshohet se janë marrë nga vërshimet. Autoritetet dërguan alarme telefonike në disa zona të tjera në Greqinë qendrore, ishujt Sporades dhe Evia, duke paralajmëruar njerëzit të kufizojnë aktivitetet e tyre në natyrë.

Në Bullgari, kryeministri Nikolai Denkov tha se dy persona kanë vdekur dhe tre të tjerë janë zhdukur në përmbytjet e shkaktuara nga stuhia në bregun jugor të Detit të Zi. Lumenjtë e përmbytur kanë shkaktuar dëme të mëdha në rrugë dhe ura. Në zonë pati edhe ndërprerje të energjisë elektrike dhe autoritetet paralajmëruan banorët që të mos pinin ujë nga rubineti sepse ishte i ndotur nga ujërat e përmbytura. /tesheshi.com/

You may also like