Shifra rekord nga turizmi, Kroacia përballet dhe me anën tjetër të medaljes

by admin
Spread the love

Prej kohësh një destinacion turistik tejet i preferuar, Kroacia së fundi ka përjetuar një bum akoma edhe më të madh vizitorësh.

Arsyeja gjendet tek fakti që vendi u bë anëtar i zonës Shengen që nga fillimi i vitit dhe për shumicën e turistëve nuk ka më kontrolle në kufi. Përveç kësaj monedha e mëparshme kuna është zëvendësuar me euron e kjo lehtëson udhëtimin. Tashmë, industria kroate e turizmit pritet t`i kapërcejë sivjet shifrat rekord të 2019-tës, viti i fundit përpara shpërthimit të pandemisë së koronavirusit.

Vitet e fundit turizmi ka sjellë deri në 20 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të Kroacisë, duke u bërë një faktor ekonomik vendimtar, sidomos në rajonet bregdetare. Rreth 80 për qind e pushuesve, që akomodohen në hotele në Kroaci, janë nga zona Shengen dhe gati 60 për qind nga Eurozona.

Por që situata e re sjell me vete edhe probleme të reja, këtë e pohojnë edhe në Zagreb. Kështu kohët e fundit ka pasur shpesh ankesa për rritjen e madhe të çmimeve.

“Ne jemi të vetëdijshëm për këtë”, shprehen zyrtarë vendas, të cilët fajësojnë sa ndryshimin e monedhës, aq edhe inflacionin global. Sipas tyre ka pasur dhe raste kur futja e euros është përdorur si pretekst për rritjen e çmimeve. Pasoja tjetër negative e bumit turistik lidhet me mjedisin.

Humbja e diversitetit biologjik, ndotja e ajrit, detit dhe ujërave nëntokësore janë vetëm disa nga pasojat e turizmit masiv për mjedisin. Problemet shkojnë po kështu nga infrastruktura e pamjaftueshme, si largimi i mbeturinave, te projektet e paligjshme të ndërtimit, si ngritja e shtëpive që përdoren për t`u dhënë me qira në verë e pastaj mbeten bosh për muaj të tërë, deri te privatizimi i plazheve. Popullsia vendase në këto raste humbet qasjen në bregdet, thotë Dunja Mickov nga Zelena Istra.

“Zbukurimi” artificial i plazheve është po ashtu i papranueshëm. Zonat, që në fakt janë shkëmbore, shpesh mbushen me rërë për ta bërë më të lehtë përdorimin prej turistëve.


Top Channel

You may also like