SHGM ka përcjellë në Bruksel kërkesat nga protesta e gazetarëve

by admin
Spread the love

Gazetarë dhe kameramanë të sigurt, dhënia fund e mosndëshkimit të sulmuesve ndaj gazetarëve, fundi i “PR”-it  agresiv të Qeverisë dhe qëndrimit përçmues të politikanëve ndaj punonjësve të medias, krijimi i menjëhershëm i një fondi për produkte cilësore mediatike, ishin disa nga temat që përfaqësuesit e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë ( SHGM ) i theksuan gjatë vizitës së Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian në Bruksel.

Në periudhën prej 8 deri më 9 mars, në Bruksel, përfaqësuesit e SHGM -së patën takime dhe biseda të drejtpërdrejta me deputetë të Parlamentit Evropian dhe punonjës të Drejtorisë për Zgjerim të Komisionit Evropian, për tema që kanë të bëjnë me të drejtat e gazetarëve në Maqedoni dhe kushtet në të cilat punojnë mediat e Maqedonisë.

Si çështje të rëndësishme për integrimin evropian të shtetit u theksuan disa çështje specifike, përkatësisht: konteksti ligjor dhe (mos)zbatimi i ligjeve të medies, pastaj gjendja ekonomike e medieve dhe gazetarëve, që paraqet sfidë në kryerjen e punës së tyre, së treti çështjet që lidhen me sigurinë e punonjësve të medias dhe së katërti, mundësia e krijimit të një fondi për produktet gazetareske.

Përfaqësuesit e SHGM -së, Mlladen Çadikovski dhe Dragan Sekullovski të shoqëruar edhe nga deputeti Ilhan Kyçyk i cili është raportues për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, u pajtuan se nevojiten hapa urgjent për përmirësimin e situatës, për të cilën komuniteti gazetaresk, siç u tha në takim, ka mbështetjen e Parlamentit Evropian. Ligjet e reja të miratuara që janë të rëndësishme për punonjësit e medies, si Ligji për përgjegjësinë civile për shpifje dhe fyerje dhe Ligji për ndryshimin e Kodit Penal, janë hapa pozitivë, por nuk duhet të lejohen të pengojnë procese të tjera të rëndësishme për lirinë e medies.

Është mbajtur takim edhe me përfaqësuesin e Komisionit Evropian, Viktor Tilev, në të cilin është vlerësuar se vendi përballet me sfida të shumta sa i përket çështjeve gazetareske, në fushën e të gjitha temave që janë imponuar.

Përfaqësuesit evropianë ranë dakord të adresojnë disa nga këto kërkesa si pjesë e aktiviteteve të ardhshme të Brukselit me Shkupin.

Vizita e SHGM-së ishte pjesë e aktiviteteve të rregullta të rrjetit “Safe Journalists”, i cili përfaqëson më shumë se 8 200 punonjës mediatik në Ballkanin Perëndimor, në të cilin përveç SHGM-së, janë edhe shoqatat e gazetarëve nga Beogradi, Prishtina, Sarajeva, Zagrebi dhe anëtarë të sindikatës së gazetarëve nga Podgorica.

You may also like