Shënohet 21 marsi, Dita Ndërkombëtare e Pyjeve

by admin
Spread the love

Me moton “Pyje të shëndetshme për njerëz të shëndetshëm” sot në Parkun e Gërmisë në Prishtinë u shënua Dita Ndërkombëtare e Pyjeve. Ngjarja u organizua nga Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi – FAO dhe e përkrahur nga Zyra e BE-së dhe Ambasada e Suedisë në Kosovë, njoftojnë nga MBPZHR.

Përfaqësuesit e institucioneve kryesore në vend, fillimisht u takuan tek krojet e Parkut të Gërmisë, ku edhe mbajtën nga një fjalë rasti për rëndësinë e mbrojtjes së pyjeve dhe rolin e tyre në shëndetin e njerëzve dhe mjedisit të Kosovës.

Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Lazar Raduloviq, vlerësoi rëndësinë e menaxhimit të pyjeve, duke thënë se pyjet janë një pjesë integrale e zhvillimit të qëndrueshëm global. Sipas Bankës Botërore, ekzistenca e më shumë se 1.6 miliardë banorëve në planet varet drejtpërdrejt ose tërthorazi nga pyjet.

Ndërsa, Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, foli për mbështetjen për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumë-qëllimor të pyjeve për përmirësimin e jetës rurale dhe adresimin e ndryshimeve klimatike në Kosovë.

Dita Ndërkombëtare e Pyjeve është shpallur prej OKB-së dhe çdo vit me datë 21 mars shënohet nga FAO në nivel global, si mundësi për të promovuar aktivitete miqësore, si dhe praktika të qëndrueshme të menaxhimit të pyjeve.

dita e pyjeve

You may also like