Shenjtorja që bekon Stalinin, debat mbi këtë ikonë në Gjeorgji – Shqip

by admin
Spread the love

Kisha Ortodokse në Gjeorgji ka kërkuar që të bëhen ndryshime në një ikonë në një katedrale në Tbilisi që përshkruan, pak a shumë, vetë Stalinin famëkeq.

Ikona përshkruan skena nga jeta e Shën Matronës së Moskës, një vizionare dhe shëruese ruse e shekullit të 20-të. Në një nga skenat, shenjtorja shihet duke bekuar ish-udhëheqësin komunist sovjetik.

Ikona i ishte dhuruar kishës muaj më parë nga Aleanca e Patriotëve, një parti pro-ruse. Kohët e fundit doli në dritë kur një ish-politikan i opozitës iu referua imazhit si një përpjekje për të portretizuar “një nga vrasësit masivë më të mëdhenj në histori në një dritë pozitive”.

Pak ditë më parë një grua hodhi bojë mbi foton në shenjë proteste.

Patriarkana e Gjeorgjisë deklaroi se nuk ka prova të mjaftueshme që shenjtorja dhe Stalini janë takuar ndonjëherë dhe për këtë arsye duhen bërë ndryshime.

Një ikonë, thotë Patriarkana, mund të përshkruajë “histori reale që lidhen me jetën e shenjtores, si sundimtarët, njerëzit e thjeshtë, heretikët dhe persekutuesit e besimit të krishterë”. Megjithatë, shtoi ajo, “kjo nuk do të thotë aspak se imazhi i lavdëron këto figura apo u jep atyre ndonjë dinjitet.”

Edhe pse shumë gjeorgjianë e refuzojnë trashëgiminë e së kaluarës sovjetike, vëren BBC, disa ende e shohin Stalinin me njëfarë krenarie, sepse ai ishte një njeri me origjinë modeste që arriti të sundonte një superfuqi dhe të mundte Gjermaninë naziste. /tesheshi.com/

You may also like