Shefja e Komisionit Evropian, von der Leyen takon Zelenskyn në Kiev

by admin
Spread the love

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka shkuar të enjten në Kiev, për të diskutuar bashkëpunim më të ngushtë në mes të Ukrainës dhe Bashkimit Evropian.

“Jam në Kiev, në vizitën time të tretë prej nisjes së luftës së Rusisë. Shumë gjëra kanë ndryshuar. Ukraina është tani kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka thënë von der Leyen në Twitter, para takimit me zyrtarë të lartë ukrainas, përfshirë presidentin e shtetit, Volodymyr Zelensky.

Do të diskutoj me Zelenskyn dhe kryeministrin, Denys Shmyhal si të afrojmë njerëzit dhe ekonomitë teksa Ukraina bën përparim në rrugën për anëtarësim”, ka thënë ajo.

Ukraina është bërë kandidate për anëtarësim në BE, në muajin qershor, hap që Moska beson se ka qenë përpjekje e Perëndimit për të izoluar Rusinë në nivel botëror, pas nisjes së sulmit të paprovuar në Ukrainë, në fund të muajit shkurt.

Shumica e vendeve të BE-së kanë mbështetur Ukrainën prej nisjes së luftës, si dhe e kanë goditur Rusinë me disa valë të sanksioneve ekonomike.

Shumë vende anëtare të bllokut evropian i kanë dhënë Kievit armë të avancuara, të cilat i kanë ndihmuar ushtrisë ukrainase që të rikthejë kontrollin mbi territoret që i ka pushtuar Rusia pak pas nisjes së luftës.

Zelensky, i cili më 14 shtator ka vizituar zonat e rikthyera nga ushtria ukrainase, ka thënë se rajonet që ka parë, janë shkatërruar rëndë nga forcat ruse.

Në fillim të muajit shtator, ushtria ukrainase ka nisur një kundërofensivë për të rikthyer kontrollin e territoreve të pushtuara nga forcat ruse, prej nisjes së luftës në fund të muajit shkurt.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se ushtria ukrainase kontrollon mbi 6.000 kilometra katrorë në rajonin e Kharkivit dhe tani fokusi është te rajonet lindore.

Autoritetet ruse kanë thënë se forcat e tyre janë tërhequr nga rajonet e Kharkivit për t’u përforcuar në rajonin e Donbasit. Ekspertët besojnë se Rusia ka dhënë arsyetim të ngjashëm edhe kur është tërhequr nga rajonet e Kievit në muajin mars.


Top Channel

You may also like